Hakmerret Napoli, thyen kampionët e Europës, Liverpulin

0
343

Liga e Kampioneve u kthye në fushë mbrëmjen e djeshme, tashmë me duelet e para të fazës së grupeve, ku nuk munguan aspak surprizat, por edhe spektakli. Pati suksese dhe zhgënjime, por kampionët në fuqi, Liverpuli, ra mbrëmë në “San Paolo” të Napolit, në kuadër të grupit E, ku fituan italianët 2-0. Kërkohej një hakmarrje nga italianët, por edhe një duel që shërbente si sfidë për trajnerin Ançeloti dhe Napolin e tij në këtë edicion të Ligës së Kampioneve. Napoli u përpoq të bënte një ndeshje të madhe mbrëmë, përballë Liverpulit dhe në pjesën e parë ia doli të ekuilibrojë repartet dhe të imponohet në fushë, paçka se ishte në taktikën e Liverpulit të mos ushtronte shumë presion ofensiv dhe të kontrollonte kundërshtarët nëpërmjet një mbrojtje të kujdesshme. Pjesa e parë nuk prodhoi gola, por përpjekjet e Napolit për ta fituar ndeshjen dhanë efekt në fundin e takimit, kur në minutën e 82-të Dres Mertens shndërroi në gol një penallti. Në minutën e fundit, Llorente shënon golin e dytë, duke siguruar fitoren e italianëve. Kampionët e Europës dalin të humbur dhe Klop merr një “leksion” nga Ançeloti. Po në këtë grup, Salcburgu fitoi me shifra tenistike 6-2 ndaj Genkut belg, duke nisur mbarë fazën e grupeve në Champions. Ndërkohë, në grupin F dueli më i rëndësishëm ishte ai mes Borusias së Dortmundit dhe Barcelonës, një ndeshje që pati spektakël. Pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0, me një dominim të dukshëm të katalanasve falë lojës së tyre me pasime të shkurtra e të shpejta, kurse gjermanët patën një rast të mirë me Rojs por pa shënjestrimin e duhur. Në pjesën e dytë, pikërisht në minutën e 57-të Rojs humbi një penallti, duke dëmtuar objektivat e skuadrës gjermane. Në minutën e 59-të i riu Fati i la vendin Mesit, i rikthyer në fushë pas një dëmtimi që e la disa javë jashtë. Loja në pjesën e dytë mori gjallëri për Barçën në kufijtë e zonës së Dortmundit, por mbrojtja gjermane me udhëheqës Humelsin ishin të pathyeshëm.  Po në grupin F, Interi u ndal në barazim 1-1 përballë Slavias së Pragës, duke dështuar tërësisht. Në grupin G, Lioni barazoi 1-1 me Zenitin rus, duke zhgënjyer në shtëpi, kurse Leipzigu ishte surpriza, pasi mundi në transfertë Benfikën 2-1. Kurse në grupin H, Ajaksi s’e vuri në diskutim fitoren përballë Lilës, 3-0, ndërsa Valencia ishte surpriza e mbrëmjes në Londër, duke mposhtur Çelsin 1-0.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here