Zbardhet platforma e opozitës për t’i dhënë fund krizës politike në vend. Kreu demokrat, Lulzim Basha deklaroi pak javë më parë se shumë shpejt do të ketë një strategji, në mënyrë që të gjitha përplasjet politike të sheshohen. Dje ka qenë aleati i tij, Dashamir Shehi i cili ka hedhur dritë mbi platformën që do të publikohet së shpejti. Kreu i LZHK, në një prononcim për mediat, ku foli për aktualitetin politik, listoi edhe 5 pikat e platformës së PD për daljen nga kriza. Shehi shtoi se marrëveshja mund të arrihet jo vetëm për pika të caktuara, por për realizimin në bllok të tyre. “Ka një platformë, mbi të cilën mund të negociohet. Disa ndryshime në rrafshin Kushtetues, t’i balancojmë këto institucione. E dyta, brenda sistemit të drejtësisë. Ndryshimi për Kodin Zgjedhor. Kodit të vjetër i kaloi koha. Nuk është vetëm ky çelësi i artë që mund të zgjidhë krizën, por është vetëm një instrument. Ne jemi gati të negociojmë, por jo vetëm për këtë çështje, por të këtyre pikave në bllok. Dekriminalizimi i politikës dhe institucioneve, është një çështje tjetër dhe “çlirimi i mediave”. Kjo platformë të çon në zgjedhje të parakohshme me qeveri tranzitore. Rama në marrëveshje jo si kryeministër, por si kryetar i PS-së”, ka deklaruar dje Shehi. Natën e 16 shatorit, Basha u takua me aleatët e tij për të folur pikërisht për platformën, të cilën Shehi e zbardhi dje. Ajo që bie në sy është se ndër 5 pikat është drejtësia. Sipas burimeve, opozita do të kërkojë negociata me PS në mënyrë që të rishikohet reforma. PD pretendon se ajo po kapet nga Rama dhe do kërkojë që të gjendet një e mesme e përbashkët që reforma të hyjë në shina. Pra kjo tregon se reforma në drejtësi është frika më e madhe e opozitës.
Reagojnë aleatët
Aleatët e Bashës kanë deklaruar dje pas takimit, se drafti do të ketë në fokus zgjidhjen e krizës kushtetuese dhe institucionale.Ata kanë kërkuar rishikimin e reformës në drejtësi si dhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Ka qenë Nard Ndoka ai që ka shtuar zërat për dialog me PS. “Për ne si opozitë e bashkuar ka shumë rëndësi data 18 tetor. Integrimi vërejmë se nuk është axhendë e kryeministrit Rama. Ramës i dhanë të njëjtat kushte dhe Rama merr një fletore vizatimi duke i paraqitur si detyra. Pritëm që të hapte një komunikim me opozitën për të realizuar kërkesat, ka një avantazh që opozita është pro integrimit dhe ka një dakordësi. Basha na informoi me kontaktet që kishte pasur me faktorin ndërkombëtar, tregoi gatishmërinë e opozitës për të përmbushur kriteret”, tha Ndoka. Ndërkohë aleatët kanë folur edhe për aksionin opozitar, ku kanë pohuar se do të nisëpas datës 18 tetor, në mënyrë që të mos ndikojnë negativisht tek vendimi i BE për hapjen e negociatave, janë shprehur ata. Njëzëri ata janë shprehur se aksioni do të jetë shumëpalësh. “Loja e PS-së është pak lojë, sa infantile dhe e pisët. Sa i takon reformës zgjedhore ramë dakord që të ketë një diskutim të brendshëm të opozitës për të mbajtur një qëndrim”, u shpreh Fatmir Mediu
Reagon LSI
Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur e vendosur për të çuar aksionin opozitar deri në fund. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili doli dje me një deklaratë ku u përpoq të shuajë zërat se ka përçarje brenda opozitës, duke rënë në kundërshtim me atë që kanë deklaruar aleatët e Bashës, të cilët u shprehen pro dialogut me Ramën. Ai ka deklaruar se ka një dakordësi të plotë për platformën që zgjidh krizën. “Opozita e bashkuar do të intensifikojë aksionin shumëplanësh. Kriza shumë e rëndë kushtetuese, politike dhe e përfaqësimit. Ka dakordësi të plotë për platformën që zgjidh krizën. Opozita kërkon hapjen e negociatave jo demagogjinë e radhës. Opozita është e vendosur për të çuar deri në fund aksionin e saj”, ka deklaruar Vasili.
ArbjonaÇIBUKU