Amerikanët zbardhin detajet e terrorit komunist, ja detajet e gjyqeve ndaj kritikëve të regjimit dhe si u bë arrestimi i Koçi Xoxes

0
327

Gazeta amerikane “The New York Times” ka zbardhur të tjera detaje nga zhvillimet në Shqipërinë komuniste. Në disa shkrime të saj tregohet mbi terrorin që ushtrohej ndaj atyre që mendonin kundër regjimit. Po ashtu, jepen detaje dhe nga arrestimi i Koçi Xoxes.

13 shtator 1947

Qëllimet anti-amerikane shihen në gjyqet shqiptare

Objektivat janë eliminimi i intelektualëve dhe “komunistëve të butë”. Analistët e Shqipërisë thanë sot se gjyqi i dhjetë deputetëve dhe katërmbëdhjetë të tjerëve për komplotin e përmbysjes së qeverisë së Enver Hoxhës, kishte një qëllim të trefishtë: Së pari është eliminimi i numrit më të madh të mundshëm të shqiptarëve të arsimuar dhe intelektualëve që mund të diskreditojnë qeverinë aktuale, së dyti kjo i jep Hoxhës një justifikim para shqiptarëve për politikat e tij të armiqësisë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë. Praktika vlen gjithashtu për të spastruar partinë komuniste nga elementët që nuk janë sa duhet komunistë të zjarrtë. Shumica e të akuzuarve pritet të marrin dënim me vdekje, sipas informatorëve nga Tirana. Dhjetë deputetëve u është hequr imuniteti parlamentar me një vendim të 15 majit. Të akuzuarit janë Konstantin Boshnjaku, Ibrahim Karburnara, Faik Shehu, Islam Radovicka, Kolë Kuqali, Shefqet Beja, Enver Sazani, Seladin Toto, kolonel Kadri Hoxha dhe Irfan Kajuni. Por prej majit shumë persona të tjerë janë arrestuar dhe sipas qeverisë numri i të përfshirëve në komplot arrin në shtatëdhjetë burra e gra, kryesisht intelektualë. Mes të arrestuarve të kohëve të fundit ishin mësuesi Tefik Deliallisi, farmacisti Sulo Konjari, librashitësi Selin Kokalari, avokati Gjovalin Vlashi, drejtori i shkollës Xhevat Xhafa, mësuesi Beqir Çela, inxhinierët e minierave Riza Alizoti dhe Sulo Klosi, profesori Foto Bala dhe ish-deputeti kryebashkiak i Korçës Agathokli Kitomi. Prokurori publik do të jetë majori Josif Pashko, ish-mësues në shkollë fillore, i cili po përpiqet me të gjitha mënyrat të provojë që të akuzuarit ishin anëtarë të një komuniteti klandestin për organizmin e një revolucioni dhe përmbysjen e regjimit të Hoxhës. Gjatë gjyqit, pesë nga të akuzuarit kanë pranuar se kanë qenë në kontakt me diplomatë nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania në Shqipëri, si dhe me refugjatë politikë shqiptarë jashtë vendit, të interesuar për përmbysjen e Hoxhës dhe vendosjen e një qeverie miqësore ndaj Britanisë dhe SHBA. Gjatë marrjes në pyetje ata kanë deklaruar se kanë marrë ndihmë financiare nga fuqi të huaja dhe kanë kryer akte sabotazhi në minierat e kromit në Rubik dhe në fushat e naftës së Kuçovës. Të gjitha deklaratat e bëra nga të akuzuarit janë përftuar me anë të torturës nga policia politike shqiptare. Prokurori deri tani nuk ka arritur të dorëzojë prova konkrete për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara apo Britanisë, sipas burimeve në Tiranë, të cilat thonë se diplomatët amerikanë janë larguar disa muaj para arrestimit të zyrtarëve.

29 shtator 1947

Akuza për komplotin e armëve

Beograd – Ka nisur në Tiranë gjyqi i njëzetekatër personave të akuzuar për planifikimin e përmbysjes së qeverisë komuniste të Enver Hoxhës me ndihmën e elementëve anglezë e amerikanë në Shqipëri. Disa nga të akuzuarit kanë dëshmuar duke thënë se kanë marrë ndihmë financiare dhe në armatime nga misionet angleze dhe amerikane që erdhën pas lufte në Tiranë. Dëshmitarët bënë lidhje mes anëtarëve të misioneve perëndimore dhe sulmeve të supozuara të sabotazhit, si dhe me një tentativë për kryengritje të armatosur në qytetin veriperëndimor të Shkodrës. Sipas padisë dhe një prej dëshmitarëve incidenti në Shkodër ndodhi më 9 shtator 1946, me kërkesë të “amerikanëve” të cilët kishin premtuar se trupat e ushtrisë amerikane do të zbarkonin në Shkodër tre ditë pas marrjes së qytetit.

Refuzimi i Departamentit të Shtetit

Në një kritikë të ashpër të lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit më 22 shtator, Shqipëria akuzohej për një “akt të dëshpëruar mosmirënjohjeje” dhe fabrikimin e akuzave kundër zyrtarëve amerikanë për përfshirje në akte sabotazhi kundër regjimit të Enver Hoxhës. Departamenti i Shtetit tha se akuzat për përfshirjen e amerikanëve janë “tërësisht të pavërteta” dhe e quajti gjyqin në Tiranë një “tentativë të regjimit për të mbajtur veten në pushtet duke shtypur e duke terrorizuar shqiptarët liberalë dhe elementët patriotikë liberalë. Deklarata kujtonte se Shqipëria fitoi pavarësinë e saj kryesisht prej përpjekjeve personale të presidentit Udrou Uilson në konferencën e paqes në 1919. Agjencia shtetërore sovjetike e lajmeve TASS i përshkruante disa nga të akuzuarit në Tiranë si anëtarë të parlamentit ndërsa burime të tjera i kanë identifikuar të akuzuarit si komunistë intelektualë të cilët po spastrohen nga qeveria.

20 tetor 1947

Tito do të fuqizojë ekonominë e Shqipërisë

Do të vijojnë dërgesat e drithit dhe ndihmave të tjera të domosdoshme për regjimin e Hoxhës. Kreu i shtetit shqiptar Enver Hoxha nuk po gjen ditë të lehta këto kohë siç raportojnë udhëtarët që vijnë nga Tirana. Marshall Tito i Jugosllavisë po i vjen vendit në ndihmë, veçanërisht me dërgesat e drithit dhe sigurisht që do të duhet ta bëjë këtë edhe për disa kohë në vijim. Shqipëria kufizohet nga Jugosllavia e Greqia dhe ka përballë Italinë përtej detit Adriatik. Vendi me popullsi prej 1 milionë banorësh është më primitivi në Evropë me lufta fisnore në zonat malore. Gjenerali Hoxha është kryeministër, ministër i Jashtëm dhe komandant i ushtrisë. Ai është një ish-mësues 39 vjeçar që është arsimuar në shkollën profesionale amerikane të Tiranës që për shumë vjet është drejtuar nga Harry T. Fultz, por në një gjyq lufte të kohëve të fundit ai akuzoi se SHBA në atë shkollë po trajnonte një grup spiunësh për shërbimet e Ballkanit. Pas zgjedhjeve të vitit 1945, në të cilat Hoxha fitoi shumicën dërrmuese, Shqipëria ka shtypur informacionin dhe gazetarët e vetëm të lejuar janë disa nga vendet komuniste. Por sipas informacioneve të udhëtarëve të paktë që vijnë prej andej kemi mundur të bashkojmë copat e informacionit për situatën e përgjithshme në vend. Aktualisht është duke u ndërtuar hekurudha e parë e vendit nga Elbasani drejt qytetit të dytë më të madh, portit të Durrësit në Adriatik. Projekti po ndërtohet me bazë vullnetare me punë e të rinjve, sipas modelit të Beogradit për ndërtimin e hekurudhave, por vizitorët thonë se ka ndryshime të mëdha mes të dyjave. Ndryshe nga linja jugosllave Sarajevë-Sabak, ku punonjësve u jepen veshje, këpucë, strehim dhe ushqim i përshtatshëm, punëtorët e linjës Durrës-Elbasan kanë vetëm kushtet më primitive. Gjithashtu përpjekjet për të ndërtuar këtë hekurudhë kërkojnë shumë më tepër energji nga sa është e leverdishme, pasi Hoxha mund të zhvillonte më mirë sistemin e rrugëve sesa të hekurudhave. Në një vend kaq të vogël transporti motorik mund të shkojë më thellë dhe të depërtojë në zonat që janë thuajse të pakalueshme për hekurudhat. Ky është viti i dytë që Marshall Tito po dërgon drithë në Shqipëri, ndërsa një muaj më parë një anije erdhi nga Fiume për në Durrës, edhe pse vetë situata në Fiume është e keqe dhe vetë zona furnizohet nga Kroacia e Serbia. Informacione të besueshme raportojnë se punonjësit e portit në Fiume kanë nisur një grevë katër-ditore në protestë të largimit të drithit nga vendi, por gjithsesi anijet u shkarkuan në Shqipëri. Nuk është e mundur të llogaritet se sa drithë kanë ardhur në Shqipëri apo sa do të dërgohen. Kryeministri Hoxha ka krijuar një program ambicioz në Shqipëri, duke e lidhur vendin ngushtë me Jugosllavinë dhe Marshall Titon, i cili ka dërguar tashmë disa lokomotiva dhe një numër teknikësh për hekurudhat e reja. Valutat mes dy vendeve janë njësuar. Shqipëria me përzierjen e saj të myslimanëve e sllavëve në vitet në vijim ndoshta do të nisë hapat e para në industri, por siç raportojnë vëzhguesit kjo do të kërkojë shumë kohë.

31 tetor 1948

Arrestohen Koçi Xoxe e 5 të tjerë

Burime nga Shqipëria raportonin sot arrestimin e ministrit të Brendshëm të vendit Koçi Xoxe, i cili ka drejtuar policinë sekrete dhe ka qenë sekretar i Komitetit Qendror, me akuza se ka mbështetur Jugosllavinë kundër zyrës komuniste të informacionit. Të njëjtat burime raportojnë se të arrestuar janë gjithashtu anëtari i Byrosë Politike Pandi Kristo dhe katër komunistë të tjerë të lartë, me të njëjtat akuza. Xoxe konsiderohej si njeriu më i fuqishëm në Shqipëri pas Enver Hoxhës dhe besohej se ishte forca e vërtetë e partisë deri në rënien e tij. Arrestimet vijnë pas raportimeve për luftë të ashpër për pushtet mes elementëve pro sovjetikë dhe atyre pro Jugosllavisë në partinë shqiptare. Sipas raportimeve një numër i konsiderueshëm pro-jugosllavësh janë arratisur në male me qëllim të organizojnë një lëvizje rezistence kundër qeverisë. Sipas raportimeve jugosllave janë ekzekutuar një numër komunistësh shqiptarë pro-jugosllavë ndërsa gazeta Politika thotë se ka një rritje të numrit të të arratisurve nga Shqipëria drejt Jugosllavisë. Në natën e 23-24 tetorit trembëdhjetë familje me një total prej 43 personash kaluan në Jugosllavi. Burimet që raportuan për arrestimin e Xoxes thanë se hapi i parë i rënies së tij ndodhi më 2 tetor kur ai u transferua nga posti i ministrit të Brendshëm te drejtimi i Ministrisë së Industrisë. Ngjarja e dytë ndodhi më 21 tetor kur ai humbi postin e sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë. Burimet raportojnë se shumë teknikë, inxhinierë dhe ushtarakë sovjetikë janë dërguar në Shqipëri për të zëvendësuar jugosllavët e dëbuar pas konfliktit të Marshall Titos me bllokun sovjetik. Ata thonë se aktualisht numri i personelit sovjetik në Shqipëri është rreth 3000. Dërgimi i teknikëve sovjetikë është i nevojshëm për të mbajtur në këmbë ekonominë e rrënuar të Shqipërisë. BRSS po bën gjithashtu përpjekje për të ndihmuar me artikuj ushqimorë dhe materiale ndërtimi prej situatës së keqe pas ndërprerjes së dërgesave jugosllave. Informatorët thonë se pesë anije sovjetike dhe një bullgare me drithë, mider e materiale ndërtimi kanë ardhur në portin e Durrësit, që prej prishjes së lidhjeve me Beogradin. Në një tjetër pikë për konfliktin Jugosllavi-BRSS, gazeta Politika thoshte se autoritetet hungareze kanë dëbuar përfaqësuesit jugosllavë nga Budapesti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here