Presidenti Ilir Meta duket se po izolohet nga ndërkombëtarët. Pas sulmeve të shumta që kreu i shtetit po bën në drejtim të diplomatëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të huajt po e injorojnë në çdo takim të tyre. Një gjë e tillë u pa qartë pak ditë më parë, kur në Tiranë erdhi drejtori i Ballkanit në Departamentin e Shtetit, David Kostelancik, i cili gjatë vizitës së tij nuk zhvilloi asnjë takim me presidentin Ilir Meta. Ndërkohë që pas David Kostelancik, Tiranën sot do ta vizitojë Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Donald Tusk. Kjo vizitë e tij vjen në kuadër të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas axhendës zyrtare të publikuar në faqen e Këshillit të Evropës, Donald Tusk ndalesën e parë do ta ketë në Maqedoninë e Veriut, ku në fillim do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski dhe më pas me kryeministrin Zoran Zaev. Pas Maqedonisë së Veriut, Donald Tusk do të ndalojë dhe në Tiranë, ku nuk ka parashikuar të njëjtën axhendë. Kreu i Këshilli ka parashikuar takim vetëm me kryeministrin Edi Rama në orën 15:30. Tusk nuk do të ketë asnjë takim me asnjë përfaqësues politik, përfshirë këtu edhe presidentin Ilir Meta. Çudia këtu është se në Maqedoninë e Veriut ka takim me presidentin, te ne jo. Kjo tregon se Meta po injorohet nga çdo diplomat i akredituar në vendin tonë, duke i dhënë një tjetër goditje dhe duke i treguar qartë se e kanë nxjerrë një herë e përgjithmonë nga lista e tyre. Duket qartë se kreu i shtetit nuk ka asnjë lloj mbështetje nga ndërkombëtarët. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, presin përgjigjen pozitive të Këshillit të Bashkimit Evropian për çeljen e negociatave më 18 tetor për vazhdimin e procesit të integrimit në BE. Pritet që Tusk të jetë i pari që do të japë lajmin e mirë për këto dy vende, por mendohet se vizita e tij do të shoqërohet edhe me disa kushte shtesë.
Reagon Meta
Po ashtu në lidhje me hapjen e negociatave reagoi ditën e djeshme presidenti Ilir Meta. Në një reagim për media nga Peza, kreu i shtetit deklaroi se politika duhet të bëhet bashkë për interesin kombëtar dhe t’i kërkojë BE-së t’i thotë “PO” hapjes së negociatave. Po ashtu Meta tha se nëse vendosen kushtet për çeljen e negociatave, BE duhet të jetë e qartë ndaj aktorëve dhe institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që sipas tij të jetë e qartë se kush është pengesa për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Pra duket se Meta po përgatit terrenin për të bërë fajtore qeverinë nëse refuzohen negociatat. “Qëllimi ynë i përbashkët, interesi ynë kombëtar është anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Një proces që antagonizmi politik e ka vonuar shumë. Kam dhënë shumë mesazhe dhe sjellja ime si president ka qenë funksion të realizimit të këtij interesi kombëtar më 18 tetor kur do të merret një vendim për Shqipërinë. Kërkesa ime për të gjithë aktorët dhe forcat politike është t’i kërkojnë BE, pavarësisht nga problemet e deritanishme, t’i thotë një po çeljes së negociatave dhe nëse do të ketë kushte për çeljen e tyre, duhet të vendosin kusht për çdo institucion dhe çdo aktorë, përfshirë edhe Presidentin e Republikës në mënyrë që të gjithë të jenë të qartë se kush do të jetë një pengesë në të ardhmen për të vonuar këtë proces, këtë qëllim mbarëkombëtar që na fton për bashkëpunim se i tillë është mesazhi që vjen nga Peza”, u shpreh Meta.
Elisjeda Kiko