Shërbimi Konsullor, përmirësimi i tij dhe mbi të gjitha gatishmëria e ambasadave për tju përgjigjur në kohë të gjithë ankesave të qytetarëve shqiptarë në botë, është një ndër prioritetet e Ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Me anë të një postimi në Facebook, ministri në Detyrë Gent Cakaj ka kërkuar nga të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit që të raportojnë çdo problem që mund të hasin gjatë Shërbimeve Konsullore. E këtë ata mund ta bëjnë duke shkarkuar aplikacionin Ambasada Ime.
“Pasi të shkarkoni aplikacionin Ambasada Ime, me nje një klik zgjidhni rubrikën “Raporto“. Pas hapjes së rubrikës, vendosni të dhënat tuaja – emër, mbiemër, email dhe numër kontakti, për të evidentuar rastin në fjalë dhe lehtësuar komunikimin e përbashkët. Pasi të keni bërë zgjedhjen e vendndodhjes dhe shërbimit që keni marrë, në hapësirën “raportimi juaj” paraqisni hollësisht shqetësimet tuaja dhe raportoni drejtpërdrejtë për probleme të çfarëdolloj natyre.” – shkruan Cakaj në një postim në Facebook.
Ministri në Detyrë i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të raportojnë çdo abuzim, problem, apo papërgjegjësi që shfaqet para tyre në komunikimin me përfaqësitë e Shqipërisë nëpër botë.
“Rubrika e re “Raporto” garanton tashmë që shqetësimet tuaja të përcillen drejtpërdrejtë në të gjitha nivelet drejtuese në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Le të përpiqemi sëbashku për një shërbim sa më llogaridhënës, funksional dhe dinjitoz.” – mbyllet postimi i Gent Cakajt.