Kineastët japin alarmin: Filmat të rrezikuar, nevojë emergjente për një projekt special restaurimi

0
308

Filmat shqiptarë për restaurimin e tyre kërkojnë një projekt dhe fond të veçantë nga shteti. Prodhime filmi të Kinostudios në AQSHF, sipas kineastëve rrezikojnë jo pak nëse nuk restaurohen. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF) institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës merret me ruajtjen, përpunimin shkencor, pasurimin me materiale të reja dhe shfrytëzimin e materialeve arkivore filmike për krijime të veprave të reja kinematografike e televizive dhe veprave studimore. Por për kineastët janë shumë probleme me filmat shqiptarë kryesisht ata me ngjyra, që janë prodhuar para viteve ‘90 në Kinostudio. Kineasti i njohur Esat Musliu shprehet se është sot kjo gjendje me filmat në arkiv, sepse ka munguar vëmendja e duhur nga shteti. “Restaurimi është një problem i madh për të gjithë filmat e Kinostudios, por sidomos ata që janë me ngjyra. Shteti duhet të akordojë buxhet me patjetër për ata specialistë në arkiv, sepse në fund të fundit arkivi do ti restaurojë filmat. Në rast se nuk restaurohen normal, që rrezikojnë të humbasin, ndaj është emergjente restaurimi i filmave”, pohon kineasti Esat Musliu. Edhe për kineastin Vladimir Prifti, në AQSHF duhet patjetër të investohet për filmat dhe shteti ka përgjegjësinë e tij. “AQSHF kërkon një investim shumë të madh. Për arsye se një pjesë e mirë e filmave, që janë tani janë në gjendje shumë të rëndë, sidomos ato që kanë qenë me ngjyra. Rritja e buxhetit nga shteti për AQSHF të shërbejë në radhë të parë për të restauruar filmat. Nga 300 filma, që janë në AQSHF, 20-30 janë në gjendje degradimi. Janë filmat që janë shfaqur më shumë, por duhet gjithmonë dhe një lloj konsulte me filmin”, pohon kineasti Vladimir Prifti. Me mendimin, që duhet të restaurohen filmat që janë të rrezikuar, kineasti sjell në vëmendje dhe arkivin në RTSH, duke kërkuar që të ketë një bashkëpunim me AQSHF. “Unë shikoj, që 50 vjet mbeti kjo marrëdhënie midis AQSHF dhe RTSH. I kam thënë dhe atyre në RTSH me filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që duke qenë me film ishte krejtësisht e mundshme që aty të bëhej një kopje shumë e mirë nga pozitivi. Por filmi nuk po transmetohet dhe ky është një tjetër problem. Unë si filmin “Udha e shkronjave” apo “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” në RTSH e kam xhiruar. Por një pjesë e tyre, që të restauroheshin duhet që të kalonin në një aparaturë. Mendoj që AQSHF dhe RTSH duhet të hyjnë në një marrëdhënie për arkivin e filmit, sepse nuk e kanë”, tregon kineasti.

 Historia jonë në pelikul

Nuk është hera e parë që kineastët bëjnë apel për shpëtimin e titujve të filmit, që rrezikojnë të humbasin, por sipas tyre duket që nga shteti nuk është menduar. Edhe për kineastin Skënder Jaçe, problemet që janë me AQSHF vijnë sepse prej vitesh ka munguar buxheti. Në reagimin e tij kineasti shprehet se sikur të bëhet e mundur që nga shteti çdo vit të mundësohet restaurimi i një titulli filmi shpëtohet historia jonë në pelikul. “Mendoj se është emergjente një projekt i veçantë për një fond special në restaurimin e disa kopjeve të filmit shqiptar, të cilat tani pothuajse janë degraduar duke ju shpërbërë kolori. Si përshembull filmi “Mësonjëtorja”, që është një histori gjaku e kombit tonë, apo filmi “Në shtëpinë tonë”, “Liri a vdekje” etj. Sikur çdo vit të ndihmohet nga shteti për restaurimin e një titulli, themi se kemi shpëtuar historinë tonë në pelikul. Natyrisht që ky vend ka shumë probleme, që ndoshta janë të rëndësishme, por nëse e nënvlerësojmë sot, nesër do të jetë vonë dhe koha nuk do të na fali këtë gabim fatal”, shprehet kineasti Jaçe. Në reagimin e tij kineasti Skënder Jaçe pohon se nga Ministria e Kulturës duhet të ndërtohen politika të reja për arkivin e filmit. “Këtu nuk bëhet fjalë për arkivin, i cili me thënë të drejtën është i cunguar në buxhet, por në fund të fundit ai është AQSHF, dhe targ i tij është të mbroj këtë pasuri kombëtare, ndaj padyshim duhet ndihmesë nga shteti për trashëgiminë e këtij fondi të artë. Veç politikave me donatorët e huaj, që jo gjithmonë mund të investohen për hallet tona, natyrisht kërkohet një mbështetje nga dikasteri përkatës, që në këtë rast është Ministria e Kulturës, duke ndërtuar politika të reja për këtë institucion”, shprehet kineasti Skënder Jaçe. Deri tani AQSHF përmes bashkëpunimeve me të huajt ka mundur të restaurojë disa tituj filmash, por sipas kineastëve është e pamjaftueshme përballë asaj pasurie, që ruhet në këtë institucion.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here