Petro Koçi: Berisha shfrytëzoi vrasjen e Hajdarit për grusht shteti, drejtësia të mos ketë frikë nga ish-kryeministri

0
311

Sot mbushen plot 21 vjet nga vrasja në Tiranë e ish-deputetit dhe ish-kryetarit të parë të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Ky i fundit u qëllua me një breshëri plumbash para ish-selisë blu, duke mbetur në vend i vdekur. Por edhe pse kanë kaluar gati dy dekada nga kjo ngjarje, vrasja e tij vijon të prodhojë ende debate. Lidhur me këtë çështje, dje ka reaguar për gazetën “SOT” edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi. Gjatë prononcimit të tij, Koçi shpërtheu në akuza të ashpra në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke theksuar se ai e shfrytëzoi vrasjen e tij për të bërë grushtin e shtetit. “Besoj se dëshmitë e reja, të cilat lënë të dyshosh në një rol jo pa domethënie të Sali Berishës, kanë nevojë të shqyrtohen nga organet e specializuara. I mbetet prokurorisë të gjykojë nëse këto indicie të reja vlejnë për të rihapur procesin. Ajo që mund të them me siguri është që 14 shtatori si tentativë për grusht shteti ishte përgatitur para se të vritej Azemi. Për këtë mjafton të shfletosh gazetën RD të datave 8 , 9,10,11 dhe 12 shtator 1998. Nëse Sali Berisha po përgatitej për bërë grusht shteti, atëherë i duhej dhe motivi, justifikimi. Pra, vrasja e Azemit duket si pjese e këtij plani sekret”, deklaroi ai. Ndërkohë, gjatë prononcimi të tij për gazetën “SOT”, zoti Koçi vuri në dukje se për vrasjen e Hajdarit ka ende fakte të pazbardhura. Në këtë kontekst, Koçi i bëri thirrje organeve të drejtësisë që të zbardhin sa më shpejt këtë ngjarje dhe të mos kenë frikë nga presionet e Berishës. Sipas tij, impakti i Berishës në sistemin gjyqësor po zbehet nga dita në ditë falë procesit të vetingut dhe se ka ardhur koha që drejtësia të vërë pikat mbi “i” sa i takon çështjes Hajdari. “Unë besoj se për atë çështjen mund të këtë akoma fakte të pa zbardhura. Në media ka pasur herë pas here deklarata që implikojnë kryetarin shpirtëror të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Kuptohet që drejtësia ka frikë nga Partia Demokratike sepse drejtuesit e saj ua numërojnë robt e shtëpisë me kuç e me maç kur ua do puna. Por drejtësia e re nuk ka pse tutet nga bota e kriminalizuar e politikes duar ndyrë. Sidoqoftë janë institucionet e drejtësisë që thonë fjalën e fundit ne çdo rast. Komentet tona nga njëherë në vend që të ndreqin, prishin punë sepse përfaqësojmë interesa politike të caktuara”, nënvizoi për gazetën “SOT” zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here