“Seanema Film Festival” mbërrin në ditët e shtatorit në edicionin e pestë. Festivali i filmit në Ulqin sjell prodhime të ndryshme kinematografike shqiptare dhe të huaja. Edicioni i pestë i festivalit, që do të mbahet në datat 18 deri më 22 shtator në Ulqin, hap siparin me premierën malazeze të filmit “Delegacioni” nga regjisori Bujar Alimani, i cili do të jetë i ftuar së bashku me aktorët e njohur Viktor Zhusti dhe Ndriçim Xhepa, si edhe me producenten Emir Gramo Turkeshi. Filmi është një bashkëprodhim i Shqipërisë, Francës, Greqisë dhe Kosovës i cili në qendër të vëmendjes historinë e një delegacioni të ardhur nga Komuniteti Europian në Shqipëri për të mësuar më shumë mbi të drejtat e njeriut. Filmi do të shfaqet në 20:00 përpara Muzeut Arkeologjik në Kalanë e Ulqinit, si pjesë e programit të filmave në konkurrim. Sllogani i festivalit “Seanema” këtë vit është In/ Exclusion dhe organizohet, tashmë tradicionalisht, nga OJQ Unë veproj (iAct). Gjatë katër ditëve do të shfaqen tetë filma artistikë në kategorinë konkurruese, duke kombinuar cilësinë artistike dhe qasjen kritike, që kanë ndaj problematikave shoqërore. Filma të tjerë në këtë kategori dhe që shfaqen premierë në Mal të Zi, janë “Shpia e Agës” nga regjisorja Lendita Zeqiraj, “Derë e hapur” nga Florenc Papas dhe “E punësuara” nga Nikos Labos. Përveç tyre, do të shfaqen edhe “Ti ke natën” nga Ivan Salatiq, “Gjinjtë” nga regjisorja Marija Peroviq, “E kaluara e pakufishme” nga Andro Martinoviq dhe “Pasojat” nga Darko Shtante. Edhe këtë vit jurinë e festivalit janë emra të njohur të kinemasë, që do të bëjnë vlerësimin për filmat në konkurrim. Filmat do të garojnë për çmimin “Filmi më i mirë” dhe “Regjia më e mirë”. Ky festival, që prej disa vitesh po zhvillohet në Ulqin ka qenë në vëmendjen e krijuesve të filmit, gjatë ditëve të tij marrin pjesë dhe emra të njohur të kinemasë shqiptare dhe të huaj, ku dhe këtë vit nuk do të mungojnë.
Edicioni i pestë me rreth 40 filma
Gjatë edicionit të pestë në “Seanema Film Festival” do të shfaqen rreth dyzet filma artistikë, të shkurtër dhe dokumentarë. Në kategoritë kryesore konkurruese janë filmat artistik metrazh i gjatë dhe filmat e metrazhit të shkurtër, prodhimet më të fundit nga Mali i Zi, rajoni, Europa dhe bota. Filmi i shkurtër i regjisorit shqiptarë Erenik Beqiri, “Furgoni”, i cili u shfaq këtë vit në Festivalin e Kanës do të jetë pjesë në kategorinë konkurruese “Seanema”. Gjithashtu, shfaqen filma artistikë dhe dokumentarë jashtë konkurrimit, në bashkëpunim me Delegacionin e BE-së dhe EU Info centre, si edhe filmat e shkurtër të nominuar për çmimin e Akademisë Europiane të Filmit (programi Short Matters!). Me mbështetjen e projektit CIRCE (Nisma e përbashkët për promovimin e veprimtarisë audiovizuale), projekt ndërkufitar ndërmjet Italisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi, financuar në kuadër të INTERREG IPA CBC, në fokus të këtij edicioni do të jenë prodhimet kinematografike të rajonit të Puglias dhe të Shqipërisë. Filmi “Streha mes reve” nga regjisori Robert Budina, fitues i trefishtë në festivalin “PriFest” në Prishtinë si edhe fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare, do jetë pjesë e kategorisë “Focus”. Vlen të theksohet se festivali këtë vit do të ketë programin edukativ për produksion dhe kritikë filmi për nxënës/e të shkollave të mesme, i cili realizohet me mbështetjen e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) dhe Qendrës kinematografike të Malit të Zi.
Nga Julia Vrapi