Partia Demokratike ka sulmuar dje sërish qeverinë përmes disa dokumenteve, ku nxjerrin një tjetër skandal në Shkodër. Ish deputetja e PD Izmira Ulqinaku, përmes një deklarate për mediat ka nxjerrë të dhëna se si drejtoresha e Zyrës së Punës “punëson” të punësuar dhe lekët i ndan me kompaninë private.”Pasi e privatizoi gjithë buxhetin e shtetit, duke i çuar fondet në xhepat e miqve të kryeministrit, me koncesione e me PPP-ra, tani ka ardhur radha që vartësit e Edi Ramës të bëjnë kërdinë me fondet që jepen për shtimin e vendeve të reja të punës”, ka deklaruar Ulqinaku në media. Ajo ka theksuar që fenomeni i korrupsionit dhe vjedhja e parave mos të ndodh më ka vetëm një zgjidhje, që sipas saj është largimi i kryeministrit Edi Rama.”Nga dokumentet bashkëlidhur vërehet qartazi që Zmijani, në mënyrë klienteliste po shpërdoron fondet publike për trajnim në punë dhe punësim, pasi sipas VKM nr.47/2008, kërkohet qartazi përfshirja në këtë projekt vetëm e punëkërkuesve të papunë, por në realitet, ajo ka përfshirë si përfitues fondesh njerëz të punësuar qysh kohë më parë në subjektin Delia Impex”, ka deklaruar ndër të tjera Ulqinaku. Në deklaratë thuhet se drejtoresha në vend që të punësojë punëkërkues afatgjatë, ripunëson punonjësit e Firmës “DELIA” në këmbim të 20% të shifrës totale që jepet nga projekti shtetëror për hapjen e vendeve të reja të punës. “Ky skandal i ri tregon se centralizimi i fondeve, qoftë për hapjen e vendeve të reja të punës, qoftë për skemën e ndihmës ekonomike dhe asistencës sociale, nuk u bë për shmangien e abuzimeve, por vetëm për përqendrimin e fondeve në dorë të drejtorëve e drejtoreshave të partisë. Këto fonde kanalizohen më pas si përqindje që drejtorët i marrin në ortakëri me firmat e partisë, duke grabitur edhe qindarkat e fundit që shteti jep për luftën kundër varfërisë”, ka shtuar ish deputetja Ulqinaku. Në fund të fjalës së saj, ajo ka vendosur theksin tek varfëria, ku ka akuzuar sërish kryeministrin Rama si fajtor. “Sot Shqipëria është shteti më i varfër i Evropës, dhe do të vijojë që të varfrit të bëhen më të varfër ndërsa të pasurit akoma më të pasur, sa kohë Edi Rama do vijojë të mbajë në patronazh të gjithë buxhetin e shtetit, duke e ndarë atë vetëm për shërbime partiake me drejtoreshat e partisë dhe firmat e partisë, në çdo qark”, ka përmbyllur fjalën Ulqinaku.