Kur kanë kaluar 12 ditë nga vrasja e teknikut të kondicionerit, Indrit Çelaj, policia e Tiranës vijon të ketë ende në kërkim autorët e dyshuar, dy vëllezërit Griseldo e Albano Kusi.
Burime të sigurta pranë grupit hetimor thanë për Report Tv se ka dyshime që dy vëllezërit Kusi të jenë larguar drejt Greqisë në mënyrë ilegale e pa u regjistruar në sistemin TIMS.
Sipas të njëjtave burime, mësohet se vetëm dy ditë pas ngjarjes së ndodhur brenda vilës 3 katëshe te familjes Kusi, antenat telefonike zbuluan se dy vëllezërit Kusi ndodheshin në zonën e Vorës, ku mundën t’i shpëtonin edhe një operacioni policor për kapjen e tyre.
Por e paqartë mbetet mënyra se si dy vëllezërit kanë mundur t’u shpëtojnë kontrolleve të policisë, pasi vetëm 4 ditë më parë policia kishte marrë informacion në rrugë operative se ata ndodheshin në zonën e Korçës.
Nga ana tjetër autoritetet shqiptare i kanë shpallur vëllezërit Kusi në kërkim ndërkombëtar.
Indrit Çelaj u qëllua me plumb në kokë teksa ishte duke kryer punime në tualetin e katit të parë për montimin e kondicionerit.
Dëshmitë e dy punonjësve të tjerë i treguan prokurorisë së Griseldo Kusi i kërkoi llogari Çelajt për një vrimë që po hapte në mur, e më pas e qëllon me pistoletë.
Vrasja e Çelajt nga Griseldo Kusi u përforcua edhe më shumë nga dëshmia e Lorenc Veliaj. Ky i fundit i tha policisë se Griseldo i kishte kërkuar të merrte përsipër krimin, pasi ishte edhe në kërkim policor
Pas vetëdotëzimit ai u prangos vetëm për tre vepra penale që nuk kishin lidhje me ngjarjen.
Për vrasjes e 26 vjeçarit Indrit Çelaj policia arrestoi pronarin e vilës ku ndodhi ngjarja Bujar Kusin, babai i dy vëllezërve Kusi, për të cilin gjykata caktoi arrest me burg. Po e njëjta masë u dha edhe për Ferdinant Bakallin dhe Ali Sula, ndërsa për Luan Cakën gjykata caktoi arrest shtëpie. Ata akuzohen për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.