Dy aleatë e Partisë Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokristiane konfirmojnë se opozita është e bashkuar në qëllimin e saj, largimin e Ramës nga pushteti. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili dhe kreu i PDK, Nard Ndoka për News 24 kanë treguar arsyen se përse tre partitë e opozitës, LSI, PAA dhe PR kërkuan të regjistroheshin në zgjedhjet e 13 Tetorit. Dy aleatët e Bashës shprehen të prerë teksa thonë se negociata me Ramën nuk mund të këtë, për shkak se ai nuk garanton zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe se është i lidhur me krimin. Vasili e Ndoka janë të të njëjtit mendim lidhur me djegien e mandateve të opozitës. E vetmja pike ku Vasili dhe Ndoka ndahen, është Presidenti Meta. Për demokristianin, Presidenti duhet te kishte bërë me shume për të mbrojtur kushtetutën dhe dekretin e tij për zhvillimin e zgjedhjeve te 13 tetorit, ndërsa për Vasilin, Meta ishte njeriu i cili shmangu një përplasje civile në 30 qershor dhe u afroi partive mundësinë për të zgjidhur krizën politike. Këtë javë pritet qe Opozita e Bashkuar të zhvilloje një takim, ku do të vendoset konkretisht se kur do te nisë aksioni i opozitës dhe se cilat do të jenë risitë këtë sezon të ri politik.