Zbulohet personi i cili frymëzon presidentin Ilir Meta. Në një intervistë që ka dhënë për mediat ruse një vit më parë, ai tha se frymëzohet nga shkrimtarët rusë, por duket se frymëzimi i tij më i madh vjen nga drejtuesi i Rusisë. Shtëpia në “Gjirin e Lalëzit” duket se ja ka hequr dëshirën e detit presidentit, i cili prej disa vitesh ka vendosur që të udhëtojë nëpër male, të lahet në liqene akullnajore, të vizitojë shpella e të takohet me barinj të zonës. Por këto lëvizje të presidentit Meta duket se nuk janë të panjohura. Të njëjtën gjë si ai bën dhe presidenti rus, Vladimir Putin. Mjafton të bësh një kërkim të thjeshtë në Facebook-un e presidentit Ilir Meta dhe në Google për Putin dhe ngjashmëria e tyre është e frikshme. Putin prej vitesh ka ngjitur malet dhe bënte foto gjysmë i zhveshur duke treguar muskujt e tij. Ndërsa së fundmi kemi parë dhe Metën të bëjë të njëjtën gjë, edhe pse nuk është aq në formë sa presidenti rus. Edhe pse mund të duket pa kuptim, por janë dhjetëra foto që tregojnë veprime të njëjta të tyre. Pyetja që shtrohet është nëse presidenti Meta frymëzohet dhe për gjëra të tjera nga presidenti rus? Afeksioni i Metës për rusët është i dukshëm. Është i vetmi politikan që nuk është sulmuar nga ambasada ruse. Madje kur u pyet nga mediat mbi rrezikun rus, presidenti u shpreh se Shqipëria është kthyer pas në kohën kur komunizmi fliste për rrezikun që vinte nga SHBA. Edhe pse agjenci të ndryshme ndërkombëtare kanë shprehur prej kohësh se rreziku rus është i pranishëm në Ballkan dhe Shqipëri, për presidentin gjithçka duket si lojë. Pra përveç letërsisë ruse, po dalin dhe elemente të tjerë që lidhin Metën me Moskën. Nëse i numërojmë të gjithë, rezulton se është politikani me më shumë mbështetje prej tyre. Nga investigimi qëu bë nga një prej revistave të njohura amerikane, rezultoi se dhe LSI, ashtu si PD, ka bërë lobime në administratën amerikane përmes parave ruse. Luan Rama është i vetmi politikan që ka bërë foto me Vladimir Putin. Meta është i vetmi politikan i lartë që ka dhënë intervistë në një prej televizioneve të mëdha ruse. Pastaj, ajo që i vë kapak gjithçkaje është se mediat ruse i bëjnë jehonë çdo lëvizjeje të presidentit. Edhe një status që bën Meta në rrjetet sociale, pasqyrohet në portalet ruse. Pra faktet që tregojnë se mbi Presidencë po fryn era ruse po shtohen nga dita në ditë.
Meta në “luftë” me SHBA
Teksa gëzon mbështetjen ruse, Presidenti ka nisur një sulm të paparë ndaj reformës në drejtësi dhe ndërkombëtarëve. Edhe pse reforma ka 3 vite që është miratuar, presidenti tani e ka gjetur kohën për të lëshuar sulme dhe akuza ndaj saj. Por Meta ka marrë përgjigje shumë të forta nga SHBA. Më i fundit ishte Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Philip Reeker, i cili në një takim me ministrin në detyrë Gent Cakaj, deklaroi se reforma në drejtësi nuk ka kthim pas. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se reforma në drejtësi s’mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi dhe ajo përbën një model për rajonin dhe përtej”, tha Cakaj. Pra, duket qartë se kemi një luftë mes Metës dhe amerikanëve. Plani i presidentit ishte që ta nxjerrë reformë në drejtësi si një projekt të Soros dhe jo të amerikanëve. Dihet rivaliteti mes presidentit Donald Trump dhe Soros. Presidenti Meta mendoi se do fitonte simpatinë e administratës së Trump me këtë lëvizje, por duket se ka dështuar. Si Matthew Palmer ashtu dhe Reeker i kanë dalë hapur, të cilët janë po përfaqësues të administratës së Trump.
Kliti Topalli