Filmi “The Van” po garon me 14 filma të tjerë për të fituar “Zemrën e Sarajevës”. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Margariti deklaroi se kjo garë nuk është vetëm për të fituar çmimin, por për të vijuar garën më pas edhe për çmimet Oscar. “Pas konkurrimit në Cannes, ku garonte mes 9 filmave më të mirë nga e gjithë bota, dhe pas fitores së çmimit si filmi më i mirë i shkurtër në Molise Cinema Film Festival, “The Van”, filmi me regji të Erenik Beqirit është në garë për “Zemrën e Sarajevës”. Ai konkurron mes 14 filmash nga e gjithë Europa, jo thjesht për një çmim, por për t’u kualifikuar në një garë më të madhe, atë të Çmimeve Oscar. Suksese Erenik! Jemi krenarë për ty!”, tha ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Filmi “The Van” (Furgoni), nga Erenik Beqiri konkurroi për herë të parë në festivalin e filmit në Kanë në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër në maj të këtij viti. Filmi flet për një djalë rreth të 20-ve i cili ka si qëllim të emigrojë jashtë vendit. Në mënyrë që të fitojë lekët e duhura sa me shpejt, ai pranon të bëhet pjesë e disa ndeshjeve që zhvillohen brenda një furgoni. Rregullat e furgonit janë të thjeshta, dyert mbyllen dhe furgoni niset në një trajektore rutinë, duke u kthyer në pikën e nisjes. Dyert hapen dhe nga aty mund të dalë vetëm një fitues. Kujtojmë që dy ditë më parë ishte edhe filmi “Derë e hapur” i cili garon në Festivalin e Sarajevës. Personazhi kryesor është Elma. Ajo është një vajzë shqiptare që jeton ilegalisht në Itali. Elma mban në bark një fëmijë , por babai i fëmijës gjendet në burg. Autoritetet italiane e deportojnë atë në Shqipëri. Kur kthehet, Elma ndodhet në udhëkryq dhe nuk di kujt t’i drejtohet për ndihmë. Ajo vendos të shkojë tek motra e saj e madhe, Rudina. Të dyja motrat nisin një rrugë të gjatë me makinë dhe drejtohen për tek shtëpia e babait të tyre tradicional.