Keidi Bare siguron rol titullari tek Malaga, drejtuesit e projektojnë lider të së ardhmes në ekip

0
322

Lojtarët kuqezinj në Europë po përpiqen të krijojnë profilin e tyre të suksesit, të bazuar në kualitetin që disponojnë, pra në përgatitjen teknike dhe fizike, por edhe përshtatshmërisë taktike me grupet ku ushtrohen. Sigurisht, vitet e fundit ka pasur një shtrirje të konsiderueshme të lojtarëve me origjinë shqiptare edhe në kampionatin spanjoll. Një pjesë e tyre kanë pasur edhe sukses, por vëmendja shkon tek dy prej tyre që janë pjesë e përfaqësueses, megjithëse më shumë kanë luajtur me ekipin kombëtar të 21-vjeçarëve. Dy nga emrat e spikatur të kuqezinjve që luajnë në kampionatin spanjoll janë Rei Manaj që është pjesë e Albacetes, si dhe Keidi Bare që është pjesë e Malagës. Të dy luajnë në Segunda Divizion, në Spanjë, por kanë premisa të jenë lojtarët lider të kësaj kategorie dhe madje vetë mediat spanjolle kanë përshkruar me nota mjaft pozitive dyshen shqiptare në këtë nivel të futbollit spanjoll. Kujtojmë që pak ditë më parë edhe Ivan Balliu zgjodhi të kalojë nga Metzi në kampionatin francez tek Almeria në Spanjë, duke shtuar kështu koloninë e kuqezinjve në futbollin iberik.

Bare, së shpejti lider i Malagës

Siç dihet, Keidi Bare ka nisur sezonin e tij të dytë me skuadrën e Malagës dhe duket se po kthehet në protagonist te skuadra spanjolle. Mesfushori i Kombëtares është titullar me skuadrën spanjolle dhe pritet që në këtë rrugë të vazhdojë edhe në javët e tjera. Besim për të ardhmen, i ka dhënë edhe drejtori sportiv i Malagës, Hoze Luiz Kaminero i cili ka folur edhe për merkaton e skuadrës së tij. Kaminero u shpreh se të rinjtë, nuk mund të regjistrohen me skuadrën e parë duke qenë se nuk kanë të drejtë të kthehen te ekipi i tyre ose te Malaguena, por e kundërta është për Baren. “Te ekipi i dytë janë 2-3 futbollistë që më kanë befasuar pasi kanë forcë për të shtyrë para. Është mirë sepse duhet t’i respektosh, megjithatë nëse i regjistron me ekipin e parë, nuk mundesh më t’i kalosh me ekipin tjetër. Bare është futbollist i ekipit të parë, pavarësisht se sa është numri te të rinjtë”, u shpreh Kaminero. Duket qartë se Bare e ka staturën e duhur teknike dhe rolin e liderit tek kjo skuadër, pavarësisht se temperamenti i tij shpesh krijon konflikte dhe Bare në disa raste ka treguar se është lojtar i dhënë për të gjitha, përfshi shpesh dhe veprimet antisportive për të cilat është ndëshkuar disa herë dhe ka marrë vërejtje të shumta. Dihet që mesfushori kuqezi ka dalë nga Atletiko e Madridit dhe madje ka luajtur me ekipin e parë të skuadrës së Diego Simeones, por një sërë problemesh e detyruan të kalojë në ligën e dytë, tek Malaga, ku ai shpreson të kapë majat e të kthehet sërish në La Liga, pra në elitë.

Kombëtarja, një shans që pritet të vijë

Edhe pse Bare dhe Manaj luajnë në ligën e dytë në Spanjë, ata janë në fokusin e trajnerit Edi Reja dhe shihen si lojtarë të perspektivës. Theksojmë se të dy lojtarët vijnë nga ekipi kombëtar U-20 dhe kanë premisa të mira të jenë dhe në skuadrën përfaqësuese, kështu që tekniku veteran italian po i ndjek ata. Nuk mund të thuhet me siguri që do të marrin ftesë për duelet e shtatorit, por nëse paraqitjet e tyre do të jenë të mira, atëherë Reja d t’u dërgojë ftesë për duelet në vijim. Përfaqësuesja ka nevojë për lojtarë cilësorë, që janë në formë dhe kualitete të spikatur. Dyshja e Shpresave e ka kaluar sprovën me paraqitjet që kanë bërë në U-21, kështu që presin me padurim ftesën tek të rriturit. Nuk do të jetë për herë të parë, pasi ata janë ftuar dhe me Panuçin e madje dhe me Rejën, por për aktivizimin e tyre duhet të presin, pasi rivaliteti në këto momente në ekipin përfaqësues është shumë i madh dhe rolin e protagonistit e marrin automatikisht lojtarët që janë aktivë, kanë përvojë dhe luajnë rregullisht me skuadrat e tyre në Europë, kryesisht ata që luajnë në kampionatin italian, sepse prej këtij kontigjenti janë lojtarët që preferohen më shumë nga stafi teknik italian i Kombëtares së Shqipërisë.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here