Rasti i Valdrin Pjetrit, PD organizon protestë në Shkodër, qytetarë dhe ish-deputetë dalin kundër kandidatit socialist

0
270

Dega e Partisë Demokratike në Shkodër zhvilloi ditën e djeshme një protestë përballë Prefekturës, pas lajmeve lidhur me të shkuarën e Valdrin Pjetrit. Protesta nisi rreth orës 19:30, ku dhjetëra mbështetës të Partisë Demokratike u mblodhën përpara Prefekturës, ngjitur me bashkinë e qytetit, teksa në duar mbajnë disa pankarta ku shkruhet “T’i kthejmë rinisë shpresën”, “Stop lidhjes Shtet-Banda”, “Stop blerjes së votës”. Në krah të tyre ishte dhe kryebashkiakja aktuale e Shkodrës, Voltana Ademi dhe ish deputeti demokrat për këtë qark Bardh Spahia. Ky i fundit, u shpreh se kryeministri Rama po e kthen vendin në narkoshtet, duke shtuar se edhe protesta nuk është vetëm ndaj Valdrin Pjetri por edhe ndaj shefit të qeverisë. Sipas tij, Shkodra nuk pajtohet me krimin e organizuar. “Rama kërkon nënshtrimin e Shkodrës përmes trafikantëve të drogës, kur as baballarët e tij nuk e nënshtruan dot. Përveç një reagim ndaj Valdrin Pjetrit, është reagim ndaj kapobandës, Edi Rama, që po e kthen Shqipërinë në një narkoshtet. Protesta është ndaj Ramës si kreu i organizatës kriminale që drejton vendin. Shkodra nuk pajtohet me krimin e organizuar e as me ish komunistët e bijtë e tyre që drejtojnë vendin”, u shpreh ish deputeti demokrat Bardh Spahia. Ky reagim i qytetarëve erdhi pas fakteve të publikuara nga Partia Demokratike për Valdrin Pjetrin, i cili fitoi në zgjedhjet e 30 qershorit për të qenë në krye të Bashkisë Shkodër. Ata u shprehën se nuk do të lejojnë që ai të jetëkryebashkiaku i tyre, duke shtuar se Voltana Ademi dhe PD do të jenë drejtuesit e përhershëm të Shkodrës. Po ashtu, mbështetësit e opozitës akuzuan edhe kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se ai nuk ka bërë verifikimet e duhura për personat që kandidojnë në postet publike. Pas një ore, tubimi i mbështetësve të PD u mbyll në mënyrë paqësore dhe pa shkaktuar asnjë incident. Ata u shpërndanë duke çuar mesazhe të qarta se nuk do të pranojnë Valdrin Pjetrin të jetë drejtuesi i tyre. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here