Mbi 1 mijë objekte të trashëgimisë nënujore mbyllur në fonde, ekspozimi pret vendimin e Ministrisë së Kulturës

0
420

Objektet e arkeologjisë nënujore të zbuluara nga kërkimet prej vitesh nuk janë të ekspozuara, por qëndrojnë mbyllur në fonde. Janë mbi një mijë objekte të trashëgimisë nënujore, që deri tani nuk kanë mundur që të ekspozohen, edhe pse prej vitesh një kërkesë është bërë që të jenë në Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Drejtori i Institutit të Arkeologjisë, prof. dr. Luan Përzhita shprehet se për këto objekte arkeologjike që të jenë në këtë muze ata i kanë bërë një propozim Ministrisë së Kulturës. Drejtori Përzhita shprehet se propozimi i tyre është që këto objekte nuk duhet të rrinë më të mbyllura në fonde, por të jenë në katin e tretë të Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Por ndërsa shpresa mbetet që të kenë mundësi ekspozimi në këtë muze, drejtori i Institutit të Arkeologjisë shton se vendimi i përket vetëm Ministrisë së Kulturës, që ka në varësi këtë muze. “Janë në fondet tona mbi një mijë objekte të arkeologjisë nënujore të zbuluara prej vitesh. Propozimi jonë si Institut i Arkeologjisë është, që pasuria arkeologjike nënujore të vendoset në katin e tretë të Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Ne këtë propozim ia kemi bërë më parë Ministrisë së Kulturës, por sigurisht që vendimmarrja i takon atyre. Në dijeninë time ministria po punon në katin e dytë të muzeut në Durrës, më pas do ti vijë radha katit të tretë. Por atje për ne si Institut i Arkeologjisë është më e mundshme që të jetë kjo pasuri arkeologjike, sepse dhe vetë Durrësi është qytet bregdetar, ka vizitorë, ndaj mund të kthehet kati i tretë në pavionin e prezantimit të pasurisë nga gjetjet arkeologjike nënujore, ose trashëgiminë nënujore shqiptare”, shprehet prof. dr. Luan Përzhita.

Ndihma e Institutit të Arkeologjisë

Drejtori i Instituti të Arkeologjisë shprehet se objektet që janë sot rrinë të mbyllura në fondet arkeologjike, por në momentin që do të merret një vendim, pjesa më e madhe janë gati për tu ekspozuar. “Këto objekte arkeologjike të kësaj trashëgimie sot janë në Durrës, në Tiranë, por kemi edhe në Vlorë. Janë objekte në fondet tona arkeologjike dhe një pjesë e mirë është gati për t’u ekspozuar në muze, por kjo duhet konceptuar më parë nga ministria” vijon prof. dr. Luan Përzhita. Nuk është hera e parë që drejtori i IA flet për pasurinë arkeologjike dhe problemet, por sipas tij propozimet që bëhen nga arkeologët i takon Ministrisë së Kulturës që të marrë vendime për zbatime projektesh të tilla. Në reagimin e tij drejtori i Institutit të Arkeologjisë shton se në momentin, që do të merret një vendim, institucioni që ai drejton mund të kontribuojë në punën e tyre për tu ekspozuar në Muzeun Arkeologjik në Durrës. “Ne si Institut i Arkeologjisë jemi gati të kontribuojmë, por gjithsesi ajo duhet që të përkrahet dhe të ketë një vendim nga Ministria e Kulturës, sepse ai muze është në varësi të saj. Por ne si Institut i Arkeologjisë e ndihmojë me objekte, por dhe asete intelektuale. Ne kemi bërë propozim për në Durrës, por mbase qeveria do mendojë dhe diku tjetër. Ne menduam Durrësin, sepse është një qytet port, turistik dhe do të ishte mirë që të ishin këto fonde të ekspozuara aty në muze”, vijon drejtori i Institutit të Arkeologjisë. Por në fushën e arkeologjisë nuk janë të pakta vështirësitë në punë, që vazhdojnë prej vitesh. Probleme ka sot me financime të ndryshme projektesh, që jo rrallë herë i kanë vënë në vështirësi specialistët e fushës së arkeologjisë.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here