Reforma në drejtësi dhe ngritja e organeve të reja duket se po marrin jetë. Këtë gjë e ka deklaruar ditën e djeshme kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi, i cili u shpreh se ngritja e SPAK është çështje ditësh. Në një intervistë televizive mbrëmjen e djeshme, Ibrahimi paralajmëroi se me ngritjen e këtij institucioni, niveli i goditjes së korrupsionit do të jetë mjaft i fortë. “Tani mund të flasim për kohë reale për ngritjen e SPAK. Tani vërtet SPAK është prapa porte. Ai do të trashëgojë 90% të portofolit të Prokurorisë për Krimet e Rënda. Gjithashtu SPAK do të thithë dhe dosje korrupsioni nga prokuroritë e rretheve. Niveli i goditjes dhe efektivitetit do të jetë më i fortë. Prokurorët do të jenë vetë Zot të dosjes dhe nuk do jenë të varur në lidhje hierarkike. Pra do jenë ata vet zot të punës së tyre”, u shpreh Gent Ibrahimi.
BKH do trajnohet nga FBI
Kreu i KLP foli edhe për ngritjen e BKH, ku u shpreh se kjo organizatë hetimore do të jetë në varësi direkte të Prokurorisë Speciale, e cila do të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta të politikës. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi u shpreh se BKH do të jetë gati sapo anëtarët e saj të trajnohen nga FBI në SHBA. “FBI do të trajnojë NBI – ky është akronimi në anglisht i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Natyrisht që bëhet fjalë për një trajnim disa mujor, në bazën më të madhe të trajnimeve të FBI-së. Zgjidhja tranzitore do të jetë që prokurorët e Prokurorisë së Posaçme do të punojnë me ato struktura të Policisë Gjyqësore që janë të pranishëm në zyrën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda”, u shpreh Ibrahimi. Kreu i KLP tha se prokurorët e SPAK do të punojnë me oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke shmangur edhe lidhjet me Policinë e Shtetit. “Prokuroria shqiptare gjithmonë ka patur nevojë për ndërmjetësim dhe ndihmën e Policisë së Shtetit për të hetuar krimin. Një oficer i Byrosë Kombëtare të Hetimit ka për Zot, prokurorin e Prokurorisë së Posaçme. Kjo ndihmon edhe në konfidencialitetit dhe sekretin e hetimeve, sepse gjithçka aty konsumohet brenda një trupe të vogël njerëzisht. Këto historitë me përgjime që dalin lart e poshtë shpresoj të mos i dëgjoj më, për shkak të faktit që do të jetë vetëm një grup ekskluziv njerëzish shumë i ngushtë që do të ketë akses në dokument”, u shpreh kreu i KLP Gent Ibrahimi.
Pavarësia e prokurorëve
Më tej, kreu i KLP foli edhe për pavarësinë e prokurorëve, duke deklaruar se prokurorët e SPAK do të shkëputen nga hierarkia që ka ekzistuar në të kaluarën. Po ashtu, Ibrahimi bëri me dije se mandati i tyre do të jetë 9-vjeçar. “Pavarësia e prokurorëve të SPAK ka edhe një dimension tjetër përveç çlirimit të lidhjes hierarkike që në fakt kanë ekzistuar në të kaluarën. Këshilli vetëm mund ta shkarkojë një prokuror të Prokurorisë së posaçme, por edhe këtë gjest ekstrem mund ta bëjë vetëm me ⅔ e anëtarëve të Këshillit. Ju siguroj që përvoja e këtyre 6-7 muajve të parë të Këshillit sugjeron se arritja e mazhorancës, sidomos për këto çështje kaq kontradiktore siç është ndëshkimi i prokurorit të Prokurorisë së Posaçme, është pothuaj i pamundur që të arrihet. Pra pavarësia e tyre ka edhe një dimension tjetër të rëndësishëm- ata shërbejnë për një mandat 9 vjeçar që nuk e kanë prokurorët e tjerë”, u shpreh Gent Ibrahimi.
Elisjeda Kiko