Kryeministri Edi Rama ka vendosur të shkundë nga themelet Partinë Socialiste. Ditën e stome do të mblidhet Asambleja Kombëtare e PS, ku do të hapet rruga për të futur në zgjedhje degët dhe Organizatat Socialiste, ndërsa gjithashtu do t’i hapet rruga zgjedhjes së anëtarëve të partisë, Asamblesë dhe Kongresit të Partisë Socialiste. Gazeta ka siguruar axhendën e Asamblesë së PS, në të cilën thuhet se punimet e Asamblesë do të hapen nga kryeministri Edi Rama dhe në fokus të diskutimeve do të jetë analiza e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Gjithashtu, një tjetër pikë e rëndësishme do të jetë diskutimi mbi organizimin dhe vendosjen e kritereve për zhvillimin e zgjedhjeve brenda partisë. “Fjala e Kryetarit të PS, Edi Rama; Analizë mbi rezultatet e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit 2019; Shqyrtimi dhe miratimi i Projekt-Vendimit “Për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme në parti”; Shqyrtimi dhe miratimi i Projekt-Udhëzimit “Për Zgjedhjet e reja të përgjithshme në parti”; Shqyrtimi dhe miratimi i Projekt-Udhëzimit “Për kriteret përzgjedhëse për delegatët e kongresit, kryetarët e partisë e të bashkive, kryetarët e KS të Nj.A dhe kryetaret e OS”, thuhet në axhendën e siguruar nga gazeta. Këto ndryshime pritet të votohen në Kongres, i cili pritet të mblidhet në fund të vitit.
Rama rikonfirmohet kryetar
Por teksa degët, Organizatat Socialiste dhe të gjitha strukturat e Partisë Socialiste do të hyjnë në zgjedhje, i vetmi që është “imun” dhe që nuk preket është kryesocialisti Edi Rama. Ky i fundit, sipas statutit të PS, rikonfirmohet automatikisht kryetar i Partisë Socialiste. Pak kohë më parë, kryeministri Rama pati një debat me ish-deputetin socialist, Ben Blushi, sa i takon rastit kur kryetari i PS hyn në zgjedhje ose jo. Asokohe në kulmin e debateve Rama-Blushi u vendos që kryetari i partisë jep dorëheqjen nëse humbet zgjedhjet qofshin këto lokale apo parlamentare, ndërsa rikonfirmohet automatikisht në krye të partisë nëse del fitues në njërën nga zgjedhjet e sipër cituara. Kështu që, nëse i referohemi rezultatit të vendoreve të 30 qershorit, Partia Socialiste jo vetëm që doli fituese në këto zgjedhje, por në hambarin e saj shkuan më shumë vota krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Thënë më troç, Edi Rama rikonfirmohet në krye të PS, jo vetëm për shkak se forca që ai drejton doli fituese por edhe referuar statutit të Partisë Socialiste.
Rama jep detaje për mbledhjen e Asamblesë
Punimet e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste i komentoi pak ditë më parë edhe vetë kryeministri Edi Rama. Ky i fundit gjatë një prononcimi për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së PS, deklaroi se këtë viti do të ketë zgjedhje në Partinë Socialiste. Sipas Ramës, ndryshojnë anëtarët e Asamblesë, Kryesisë, forumeve dhe Organizatave Socialiste. “Po patjetër! Ne do të hyjmë në proces zgjedhor sepse është viti. Do të flasim më tutje për këtë, duke filluar nga Asambleja Kombëtare. Të gjitha organizatat e partisë, forumet e partisë, Asambleja Kombëtare, kryesia e partisë do të rizgjidhen nga kongresi i ri zgjedhor i Partisë Socialiste”, deklaroi ai. Po ashtu, Rama deklaroi se Asambleja e PS do të “skanojë” punën e drejtuesve politikë dhe ministrave të kabinetit për rezultatet e zgjedhjeve të 30 Qershorit. “Kemi bërë një diskutim për të gjithë pasqyrën e 30 qershorit. Kemi parë me kujdes çdo qark, çdo bashki. Kemi diskutuar për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ku sigurisht do të flasim për çka është bërë dhe çka do të bëjmë në vijim pas pushimeve”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.
Rigels Seliman