Reforma në drejtësi gati të japë efektet, tjetër kandidat i SPAK kalon vetingun, eliminohen pengesat për kryeprokurorin dhe Gjykatën Kushtetuese

0
411

Reforma në drejtësi pritet që gjatë verës të japë efektet e shumëpritura. Deri më tani ka pasur vonesa dhe sulme ndaj procesit, por pengesat e fundit janë eliminuar. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka publikuar 15 emrat final për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion dhe për ta do të jetë vendimtare procesi i vetingut. Deri më tani janë plot 6 prokurorë që kanë kaluar procesin e vlerësimit kalimtar, pa prokurorin Besnik Muçi, i cili është kandidat por është ankimuar në Kolegjin e Apelimit, ndërkohë që emra të tjerë pritet të dalin gjatë ditëve në vijim para organeve të vetingut. Por dje listës së kandidatëve që garojnë për SPAK i është shtuar edhe një tjetër emër që kalon me sukses procesin e vetingut, duke e çuar në 7 numrin në total të prokurorëve që kanë kaluar procesin e vlerësimit kalimtar. Bëhet fjalë për prokuroren Elida Kaçkinin, e cila është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Prokurorja e Tiranës Kaçkini është kandidate për në SPAK. Ajo rezultoi pa probleme në tri kriteret e verifikuara nga komisioni i vetingut. Trupa e KPK-së që ka kryer rivlerësimin e Kaçkinit përbëhej nga Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine dhe Etleda Çiftja. Kaçkini e ka filluar karrierën e saj në vitin 2006 në Prokurorinë e Tiranës. Ndërkohë që, bashkëshorti i saj Bezart Kaçkini është gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë.

Eliminohen pengesat për kryeprokurorin

Por paralelisht me ngritjen e SPAK edhe procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të ri që do të pasojë në detyrë zonjë Arta Marku duket se po ecën në ritmet e duhura. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ishte shprehur se procesi i përzgjedhjes së emrit të ri të kryeprokurorit kishte mbetur peng i procesit të vetingut. Por duket se këto pengesa tanimë janë eliminuar. Kjo për faktin se prokurori pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Olsian Çela, i cili është njëri nga kandidatët për kryeprokuror do të përballet sot me vetingun. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të zhvillojë sot në orën 10:15 një seancë dëgjimore për subjektin e rivlerësimit Olsian Çela, prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Po ashtu, KPK ka shpallur dhe trupën gjykuese që përbëhet nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi, Olsi Komici. Sipas njoftimit të KPK, prokurori pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Olsian Çela do të përballet me vetingun për tre kriteret klasike të verifikimit, si ligjshmëria e pasurisë dhe kriterin etik dhe atë profesional. Pra, referua zhvillimeve duket se shumë shpejt do të kemi edhe emrin e ri të kryeprokurorit të ri të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë, dje Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra Ardian Yllin, drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, i cili kishte shfaqur probleme me pasurinë.

Gjykata Kushtetuese drejt ngritjes

Pengesat duket se janë eliminuar edhe sa i takon ngritjes së Gjykatës Kushtetuese. Kjo nisur nga fakti se edhe për këtë institucion sytë janë nga organet e vetingut. Kështu, ditën e djeshme Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Ilir Mustafaj, i cili është njëri nga kandidatët për Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë që, sot pritet që të jepet vendimi nga ana e KPK për zonjën Anila Guri, gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila është një nga kandidatët që garon për Kushtetuesen. Pra, me daljen para organeve të vetingut të gjyqtarëve që kandidojnë për në Gjykatën Kushtetuese, mund të themi se shumë shpejt edhe ky organ pritet që të jetë funksional. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here