Erdogan thërret Ramën për pazare me Metën, Spartak Ngjela: Kryeministri nuk u del dot kundër amerikanëve

0
343

Kriza politike në Shqipëri duket se është marrë në dorë nga presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan. SHBA e bëri të qartë dje përmes zyrtarit të DASH, Philip Reeker, se nuk do të bëjë më arbitrin për të zgjidhur problemet mes opozitës dhe mazhorancës. Por në kulmin e debateve politike është shfaqur presidenti Turk, i cili dje ka zhvilluar një drekë informale me kryeministrin Edi Rama. Ka qenë ky i fundit që ka postuar një foto, ku shihet i pranishëm në rezidencën e pushimit të Erdogan. Vizita e Ramës ka qenë jo zyrtare dhe nuk lidhet me çështje sa i takon marrëdhënieve Shqipëri-Turqi. Burime të gazetës bënë me dije se vizita e kryeministrit lidhet me krizën politike në vend. Takimi i Erdogan me Ramën vjen në një kohë kur ai 9 ditë më parë takoi presidentin Ilir Meta. Presidenti shqiptar theu bojkotin e Shqipërisë në samitin që u mbajt në Bosnje. Aty Meta pati një takim me Erdogan, gjë që e bëri të ditur dhe vetë në rrjetet sociale. Meta tregoi se në këtë samit shkoi më tepër për të takuar presidentin turk. Takimi mes tyre u bë në datën 9 korrik dhe 9 ditë më pas Rama shfaqet në Turqi. E gjitha nuk mund të jetë koicidencë. Dyshimet janë se Erdogan ka ndërhyrë për të pajtuar Ramën e Metën. Erdogan njihet që ka marrëdhënie shumë të mira si me Ramën ashtu dhe me Metën. Meta edhe në maj ishte në Turqi ku mori pjesë në inaugurimin e një aeroporti. Po ashtu dhe Rama ka pasur disa takime me Erdogan. Më 22 mars të 2018-ës u njoftua për një darkë pune Rama-Erdogan në rezidencën në Stamboll dhe Ambasada shqiptare në Ankara deklaroi shkurtimisht se në dy liderët kishin diskutuar për aeroportin e Vlorës dhe “Air Albania”. Më 9 korrik të të njëjtit vit, Rama u nis sërish drejt Turqisë për të marrë pjesë në betimin e Erdoganit si president i vendit. Rreth 6 muaj më vonë, më 8 dhjetor, kur Shqipëria ishte në ‘ethet’ e protestës masive studentore, mediat turke raportuan për një vizitë ‘blic’ të Ramës te Erdogan. Asnjë informacion nuk u dha për këtë takim.

Ndërhyrja e Turqisë

Ndërhyrja e Erdogan vjen në një moment shumë delikat. Marrëdhëniet mes Metës dhe Ramës janë përkeqësuar ndjeshëm. Mazhoranca po tenton shkarkimin e presidentit, ndërsa ky i fundit ka nisur një luftë kundër saj me zgjedhjet dhe reformën në drejtësi. SHBA e BE janë distancuar nga përplasjet Rama-Meta, duke kritikuar presidentin, por pa ndërhyrë. Por Erdogan njihet si personi që ka pajtuar dhe më herët Ramën dhe Metën. Në 2017, sapo Meta u zgjodh president dhe u arrit pakti i 17 majit, plasi një luftë e ashpër Rama-Meta. Madje u fol se PS do bllokonte betimin e Metës President. Por në atë kohë ndërhyri në lojë Erdogan. Në një intervistë televizive ai u shpreh se po ndiqte me shqetësim sherrin Rama-Meta. “Të themi të vërtetën, më shqetëson të shohim këtë debat të kohës të fundit mes dy institucioneve të shtetit, mes Presidentit te zgjedhur dhe Kryeministrit”, tha ai në 2017. Më pas marrëdhëniet Rama-Meta u qetësuan. Dyshimet janë se dhe tani Erdogan po ndërhyn për të qetësuar situatën, pasi si Rama ashtu dhe Meta njihen miq të tij. Gazeta e tha pak ditë më parë se PS ka filluar të tërhiqet nga shkarkimi i presidentit. Fakti që u shkua në Venecia tregon një lloj tërheqje. Ndërsa dje Meta u tregua i gatshëm të anulojë 13 tetorin. Të gjitha këto dëshmojnë se situata po ndryshon. Rama nuk e ka sulmuar më Metën dhe ky po ashtu është më i butë. Pra duket se Erdogan do jetë kumbari i pajtimit Rama-Meta.

Reagon Ngjela

Një gjë të tillë e ka konfirmuar dhe avokati Spartak Ngjela. Përmes rrjeteve sociale ai ka thënë se presidenti Meta i ka varur shpresat te Erdogan. Por sipas tij, kjo është e kotë pasi amerikanët janë kundër presidentit dhe Rama sado të përpiqet, nuk del dot kundër tyre. “Kurse Meta do të vijojë të ashpërsojë gjuhën, të gënjejë dhe të mundohet te trembë Ramën, por ka shpresë edhe te Erdogani. Po mirë, ky Meta nuk e di që Rama nuk ka rrugë tjetër veç hetimit dhe shkarkimit të Metës! Nuk e ka mësuar ende Meta që Rama nuk ka më gjë në dorë për çështjen Meta? Ende nuk po e kupton ky Meta që politika amerikane, me gjithë presidentin amerikan, edhe pse janë të angazhuar për çështjen e Koresë së veriut, nuk heqin dorë pa e çuar deri në fund procesin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri? Dhe në fund: vërtet mendojnë Meta dhe Erdogani që Rama mund të dalë kundër politikës amerikane”, tha Ngjela.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here