Një ditë më parë nisi puna për zbrazjen e Teatrit Kombëtar. Një urdhër i Ministrisë së Kulturës tashmë është dhënë për heqjen e materialeve të fundit, nga kjo godinë. Menjëherë një grup punëtorësh nisën punën.
Kjo ka nxitur organizimin e shpejtë të artistëve për të mos lejuar veprimin e punëtorëve. Jo vetëm qytetarët, por edhe përfaqësues të Aleancës dhe të opozitës, si Albana Vokshi dhe Gent Strazimiri, mbrëmë kanë qëndruar gjatë gjithë natës tek Teatri, në shenjë proteste për të mos lejuar boshatisjen e godinës.
“Këtu jemi! Në mbrojtje të Teatrit, deri në fund!”, shprehen artistët nëpër rrjetet sociale.
“Për tu solidarizuar me qendrestarët e Teatrit, qytetarë të ndryshëm po sjellin ushqime dhe pije. Esmeralda, një nënë e një fëmije të vogël, na solli sanduiçë dhe çaj të ngrohtë nga shtëpia. Teatri do mbrohet se qytetaria është gjallë!”, njofton Aleanca për Teatrin.
Artistët iu bëjnë thirrje edhe qytetarëve që të marrin pjesë në këtë protestë.
