Më në fund ka verdikt në dy kategoritë inferiore të futbollit shqiptar. Ndërkohë që gara në Superiore ka hyrë në fazën përfundimtare por jo ende në “Final Four” në kategoritë e tjera kemi fitues, kemi edhe humbës, e natyrisht ka dhe duele play-off” për titull, që ngjallin interes dhe japin konkluzionet përfundimtare të një edicioni të gjatë. Po si qëndron sezoni i përmbledhur në shifra e fakte në Kategorinë e Parë dhe në Kategorinë e Dytë? Më poshtë jepet një përmbledhje më e plotë për fituesit dhe humbësit në të dy kategoritë.
Përcaktohen fituesit dhe “ngelësit” në Kategorinë e Parë
Janë zhvilluar ditën e djeshme pesë ndeshjet e fundit të kampionatit “Kategoria e Parë” për sezonin 2025-2026, duke përcaktuar të gjitha verdiktet kryesore të këtij edicioni, një ditë para sfidës finale për titullin mes Skënderbeut dhe Laçit. Java përmbyllëse konfirmoi edhe katër skuadrat që do të vijojnë garën në fazën “play-off”. Pogradeci, Iliria, Besa dhe Kastrioti kanë siguruar vendet 3, 4, 5 dhe 6 në renditje, duke mbajtur gjallë objektivin për ngjitjen në “Abissnet Superiore” përmes fazës shtesë. Në anën tjetër, është përcaktuar edhe skenari i mbijetesës.
AF Luftëtari dhe Kukësi, të renditur në vendet 9 dhe 10, do të luajnë në “play-out”, ku do të përballen me fituesit e çifteve Sopoti – Shiroka dhe Butrinti – Bylis B nga “Kategoria e Dytë”, në ndeshje vendimtare për qëndrimin në “Kategorinë e Parë”. Ndërkohë, Apolonia dhe Lushnja nuk kanë arritur të shmangin rënien nga kategoria, pasi e mbyllën sezonin në vendet e fundit të renditjes dhe sezonin e ardhshëm do të garojnë në “Kategorinë e Dytë”. Të gjitha këto zhvillime i paraprijnë sfidës së nesërme mes Skënderbeut dhe Laçit, e cila do të vendosë edhe ekipin kampion të “Kategorisë së Parë” për këtë sezon, duke vulosur përfundimisht një kampionat të luftuar deri në fund në çdo objektiv.
Përcaktohen finalistët e “play-off”-it në Kategorinë e Dytë
Janë zhvilluar sot finalet e “play-off”-it të kampionatit “Kategoria e Dytë”, ku dy përballjet kanë dhuruar rivalitet dhe emocione deri në fund, me verdiktet që u përcaktuan vetëm nga goditjet e penalltive. Në grupin A, ndeshja mes Sopoti dhe Shirokës përfundoi në barazim 1-1 në kohën e rregullt, ndërsa edhe shtesat nuk prodhuan gola. Nga pika e bardhë u tregua më i saktë Sopoti, që triumfoi 4-2 dhe siguroi kualifikimin. Në grupin B, sfida mes Butrintit dhe Bylisit B u mbyll 0-0 në 90 minutat e rregullta, ndërsa gjithçka u vendos sërish nga penalltitë.
Bylis B fitoi me rezultatin 5-4, duke prerë biletën për në fazën e fundit. Pas këtyre rezultateve, janë përcaktuar edhe çiftet finale për ngjitjen në “Kategorinë e Parë” apo qëndrimin në “Kategorinë e Dytë”. Sopoti do të përballet me AF Luftëtarin, skuadrën e renditur në vendin e nëntë në “Kategorinë e Parë”, në një ndeshje vendimtare për fatin e dy ekipeve. Ndërkohë, Bylis B do të luajë ndaj Kukësit, që e mbylli kampionatin e “Kategorisë së Parë” në vendin e dhjetë, në një tjetër përballje direkte që do të përcaktojë ekipin që do të jetë pjesë e “Kategorisë së Parë” sezonin e ardhshëm.








































