Google search engine
Home Sport Dy shqiptarë spikasin në futbollin anglez, vetëm Armando Broja zhgënjeu

Dy shqiptarë spikasin në futbollin anglez, vetëm Armando Broja zhgënjeu

0
52

Lojtarët shqiptarë që luajnë në kampionatin anglez janë të paktë në numër, por janë të spikatur brenda radhëve të ekipeve të tyre. Përjashtim bën vetëm Armando Broja me Bërnlin që ka zhgënjyer jo pak dhe ra nga Premier League, madje nuk ka një të ardhme të qartë për shkak se nuk ka lënë gjurmë gjatë sezonit, me vetëm një gol të shënuar. Por janë dy të rinj të tjerë në kategoritë më të ulëta që kanë spikatur me gola e asiste dhe kanë marrë vlerësim pozitiv.

Mehmeti titullar dhe lider me Ipsuiç

Futbollisti i kombëtares Kuqezi, Anis Mehmeti, e bëri ëndrrën e tij realitet, pasi tashmë është e sigurt që në vitin e ardhshëm do të luajë në elitën e futbollit anglez me skuadrën e Ipsuiç. Kjo e fundit ka fituar në javën e fundit të sezonit të rregullt me shifrat 3-0 ndaj QPR në shtëpi dhe siguroi matematikisht vendin e dytë në klasifikimin e Championship, që siguron ngjitjen direkte në Premier Ligë, pa shkuar në “play-off”. Mehmeti u aktivizua në minutën e 71-të të duelit, dhe u bë protagonist te aksioni i golit të tretë që erdhi pas një insistimi të tij. Më pas ai përjetoi momentet emocionuese të vërshëllimës përfundimtare kur tifozët pushtuan fushën dhe festuan me ekipin, duke mbajtur lojtarët në krahë si heronj.

Tolaj me Plimuthin shënoi 22 gola në “League One”

Plimuth e mbylli me fitore 2-3 ndaj Northempton në “League One”. Protagonist për përmbysjen e rezultatit pas disavantazhit të dyfishtë, ishte pikërisht Lorent Tolaj. Ky i fundit fillimisht shënoi dhe më pas asistoi që të rikthehej baraspesha në javën e fundit të kampionatit. Tolaj mbyll kështu një sezon të shkëlqyer me Plimuth. Plot 18 gola të shënuar dhe tetë të tjerë të asistuar në kampionat, bëjnë që të jetë i katërti në listën e golashënuesve dhe i dyti sa i përket kontributit gol+asist. 24-vjeçari ka luajtur me moshat e Zvicrën, ndërsa gëzon të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë. Për futbollistin e lindur në Zvicër pritet edhe ndryshimi i klubit gjatë merkatos së verës. Për t’u theksuar janë edhe katër gola të tjerë të shënuar në “EFL Trophy”, që e bëjnë ta mbyllë sezonin me plot 22 gola. Kështu ishte edhe lojtari më produktiv i Plimuth, që nuk ia doli të ngjitet në Championship.

Broja bie me Bërnlin, por me të ardhme të paqartë

Skuadra e Bërnlit ka rënë nga Premier Liga dhe humbja përballë Lids në transfertë nuk ndryshoi aspak situatën e ekipit ku është pjesë edhe Armando Broja. Por në fund të ndeshjes, vendasit nuk i kanë rezistuar tundimit për një tallje epike që ka bërë xhiron e rrjetit. Në fundin e ndeshjes të fituar nga Lids me shifrat 3-1, ku Broja ishte zëvendësues në minutat e fundit, duartrokitjet e tifozëve u shndërruan në të qeshura nga tribunat. Kjo, pasi në altoparlantet e stadiumit nisi të luhej kënga “Smooth Criminal” e këngëtarit të njohur Majkëll Xhekson. Kjo ishte një tallje direkte me Bërnlin, i cili pas shkarkimit të trajnerit Skot Parker, ka vendosur në drejtim si trajner të përkohshëm atë të ekipit U-23, i cili quhet Majkëll Xhekson. Te Lids, qartësisht nuk i kanë rezistuar tundimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here