Përtej problemit të një kreditimi të ulët bankat në vendin tonë kanë komisione mjaft të larta për klientët. Kostot e larta të komisioneve në bankat e nivelit të dytë janë kthyer në një shqetësim për parlamentin. Shqetësimi është ngritur dje nga Komisioni i Ekonomisë dhe i Financave, i cili i ka kërkuar ministres së Financave, Anila Denaj që së bashku me Guvernatorin e Bankës Qendrore, Gent Sejko të marrin masa për t’i ulur komisionet e bankave. “Do të duhet të uleni me guvernatorin, të detyroni sistemin bankar me instrumente ligjore që kemi, që kostoja e hapjes së llogarive të ulet. Tani do kemi të gjithë mbi 2 milionë euro xhiro do i kemi me detyrim në sistemin bankar”, u shpreh kreu i komisionit, Arben Ahmetaj.
Edhe bizneset me llogari bankare
Komisioni i Ekonomisë miratoi dje edhe dy ndryshime ligjore që synojnë të forcojnë luftën ndaj informalitetit dhe terrorizmit. Të gjitha bizneset me xhiro mbi 2 milionë lekë në vit duhet të hapin llogari bankare me detyrim, në të kundërt do të ndëshkohen me gjoba. Sipas draftit, subjektet që regjistrohen rishtazi kanë afat 20 ditë, dhe ato që janë të regjistruara, duhet të hapin llogari bankare jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit. Qeveria kishte propozuar që gjobat për bizneset pa llogari bankare të varionin nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë në varësi të xhiros. Por me propozim të Arben Ahmetajt, komisioni vendosi që t’i përgjysmonte ato. Kjo iniciativë prek rreth 36 mijë biznese. “25 mijë lekë propozimi im për pikën B, është 50 mijë lekë dhe përgjysmë e 75 e organizatave jo fitimprurëse”, propozoi Ahmetaj. Sipas variantit final të miratuar, për bizneset me xhiro nga 2 milionë deri në 8 milionë lekë në vit gjoba për moshapje të llogarisë bankare do të jetë 25 mijë lekë. Për ato me xhiro mbi 8 milionë lekë në vit gjobat do të jenë 50 mijë lekë, ndërsa për organizatat jofitimprurëse 37 mijë e 500 lekë. Sipas qeverisë, detyrimi i të gjitha bizneseve është kërkesë e Bashkimit Europian për të luftuar pastrimin e parave dhe informalitetin në ekonomi. “Kjo ka të bëjë me reduktimin e ekonomisë informale dhe pavarësisht se është brenda paketës manival. Është shumë e rëndësishme të reduktohet ekonomia informale dhe përdorimi i cash-it, prandaj hapja e llogarisë është absolute”, u shpreh ministrja Denaj.
Regjistrimi i ortakut
Ndër të tjera, në komision u miratua edhe ndryshim në ligj për regjistrimin e bizneseve që parashikon regjistrim të ortakut brenda 30 ditëve. Me anë të këtij projektligji parashikohet se aplikimi për ndryshimin e ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik bëhet brenda 30 ditëve kalendarike nga data e ngjarjes së rrethanës faktike të ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga ligji. Gjithashtu, në këtë projektligj është parashikuar se moskryerja e detyrimit për regjistrimin e ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik brenda 30 ditëve kalendarike nga data e ngjarjes së rrethanës faktike të ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 100 000 lekë. Ndërkohë, për shoqëritë aksionare mosplotësimi i detyrimit të përcaktuar në pikën 4, të nenit 43, të këtij ligji, ku përcaktohet se: “shoqëria aksionare nuk detyrohet të njoftojë çdo transferim të aksioneve. Shoqëria, së bashku me bilancin vjetor kontabël dhe raportin e auditimit njofton listën e plotë të aksionerëve të regjistruar me të dhënat e tyre të identifikimit për aksionet nominative, si dhe numrin e përgjithshëm të të gjitha aksioneve të saj”, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 100 000 lekë.









































