Zgjedhjet në Akademinë e Shkencave, Fatjona Dhimitri kërkon tërheqjen e Skënder Gjinushit nga gara dhe bojkotimin e 24 majit

0
379

Kryetarja e Komisionit të Medias, Fatjona Dhimitri, kërkoi tërheqjen e Skënder Gjinushit nga gara për kryetar të Akademisë së Shkencave. Dhimitri i ka cilësuar si të nxituara, të padobishme dhe në kundërshtim me ligjin zgjedhjet që do të zhvillohen nesër në Akademinë e Shkencave. Deputetja e opozitës në Kuvend, në një deklaratë për mediat tha se zgjedhjet duhet të zhvillohen pasi ligji i ri të hyjë në fuqi, duke u bërë thirrje të gjithë akademikëve ti bojkotojnë ato. “Si një ligjvënëse dhe si kryetare e Komisionit të Medias ju bëj thirrje të gjithë akademikëve të mos hyjnë në aventurën e zgjedhjeve të 24 majit, sa kohë ligjërisht duhet të presin përpilimin dhe hyrjen në fuqi të kuadrit të ri ligjor. Të mos përfshihen në procese të parregullta ligjore, procese të cilat kompromentojnë të ardhmen e Akademisë, pengojnë marrëdhënien e bashkëpunimit me Kuvendin, e vendosin ligjvënësin përpara faktit të kryer, duke i hequr kompetencat e sovranit. Theksoj se nuk ka asnjë nxitim për mbajtjen e zgjedhjeve të pretenduara në 24 maj, pikërisht tani që ndërtimi i ligjit për Akademinë e Shkencave ka hyrë në proces”, tha Fatjona Dhimitri. Kryetarja e Komisionit të Medias kërkoi tërheqjen e kandidatit të vetëm në garë, Skënder Gjinushit. Sipas saj, Akademia e Shkencave nuk duhet të jetë pjesë e skemës politike. “Sërish iu bëj thirrje të gjithë akademikëve të mos përfshihen në procese të cilat bien në kundërshtim me ligjin. Mendimi shkencor nuk mund të jetë pjesë e skemës politike. Edhe kandidati për kryetar i Akademisë së Shkencave është pikërisht një ish kryetar partie, i cili është koalicionin qeveritar, i cili ka dhënë dorëheqjen 4 ditë më parë. Është një ish kryetar i Kuvendit dhe më parë akoma ish ministër në periudhën e totalitarizmit dhe diktaturës. Edhe shkencën, ne politikanët e partive politike do ta drejtojmë. Zoti Skënder Gjinushi tërhiquni nga zgjedhjet në Akademinë e Shkencave. Mos e censuroni kornizën e mendimit shkencor në Shqipëri”, u shpreh kryetarja e Komisionit të Medias, Fatjona Dhimitri. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here