KED skanon kandidatët e Gjykatës Kushtetuese, 10 emra skualifikohen dhe tërhiqen nga gara, nga Theodhori Sollaku, te Denar Biba

0
458

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka nisur ditën e djeshme procedurat e verifikimit të kandidatëve që garojnë për 9 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Janë 49 emra të njohur që kanë shfaqur interes, por jo të gjithë plotësojnë kushtet dhe janë të pastër në të gjitha aspektet. Ditën e djeshme është mbledhur KED, teksa përmes një njoftimi zyrtar bëri me dije se 5 nga 49 kandidatët që janë në garë për gjyqtarë Kushtetues dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, nuk janë kualifikuar, ndërsa 5 të tjerë janë tërhequr nga gara. Më konkretisht, në njoftimin e tij, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bëri me dije se mes 5 kandidatëve të tërhequr nga gara janë edhe emra të njohur si ish-Kryeprokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku apo Alban Brati. “Këshillimi i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturës dhe aktet përkatëse për shprehjen e vullnetit për tërheqje nga kandidimi dhe për ndalimin për kandidim mbi bazën e korrespondencës me ILDKPI për mos dorëzimin në afat të deklaratave të pasurisë sipas ligjit (brenda 15 ditëve), ka vendosur Përfundimin e Procedurës së Verifikimit, Vlerësimit, Pikëzimit dhe Renditjes së Kandidaturës për 5 kandidatë dhe ndalimin e kandidimit për 5 kandidatë të tjerë, në vendet vakante ekzistuese.

Lista e kandidatëve të tërhequr nga kandidimi, për të gjitha pozicionet, është si më poshtë: Alban Brati; Irena Reso; Theodhori Sollaku; Genci Ismaili; Avni Shehu”, thuhet në njoftim. Më tej, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi theksoi se gjatë verifikimeve të kryera, 5 kandidatët janë skualifikuar nga gara për 9 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, pasi nuk plotësojnë kriteret. Mes këtyre emrave bie në sy ai i nënkryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba. Po ashtu, në deklaratë KED bën me dije se arsyet që çuan këtë institucion të mbante qëndrim për emrat në fjalë do të bëhen publike më vonë. “Lista e kandidatëve të ndaluar nga kandidimi është si më poshtë: Ardita Alsula; Denar Biba; Kristaq Traja; Vasil Bendo; Kostandin Kazanxhi. Vendimet për përfundimin e procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidaturës, si edhe aktet përkatëse të kandidatëve për tërheqje dhe vendimet për ndalim nga kandidimi, do të publikohen të arsyetuara në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Tërhiqen 11 kandidatët

5 kandidatët që garojnë për 9 vendet vakante në Gjykatën Kushtuese nuk janë të vetmit e tërhequr, pasi pak ditë më parë ka pasur të tjerë emra që janë larguar nga gara. Ka qenë vetë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili bëri me dije se ka miratuar një listë me 11 emra të cilët janë tërhequr nga gara për Kushtetuesen. Mes të tërhequrve ka edhe emra të njohur për publikun. Një prej tyre që mund të përmendim është juristi Çlirim Gjata. Ai momentalisht është Sekretar për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, por njihet edhe për sulmet e tij të vazhdueshme ndaj mënyrës sesi po aplikohet reforma në drejtësi dhe procesi i vetingut. Ndërsa një tjetër emër i njohur është edhe ai i avokatit Bashkim Nikolla. Ai është avokati i Izet Haxhisë. Nikolla e mbrojti Haxhinë në betejën e tij me drejtësinë shqiptare kur kërkonte rivendosjen në afat të dënimit për vrasjen e Azem Hajdarit. Pjesë e listës së të tërhequrve është edhe Marsida Xhaferllarim që garonte për ILD. Në kohën që Këshilli i Lartë i Drejtësisë ishte funksional, Xhaferllari ishte Kryeinspektore në këtë organ. Pak ditë më parë ajo u përball edhe me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por për të trupa gjykuese nuk mori dot një vendim shkarkimi apo konfirmimi sepse kishte humbur statusin e magjistratit.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here