Kryeministri Edi Rama u përgjigj për herë të parë për kandidimin në qarkun Dibër të ish-gardistit të 21 janarit, Agron Malaj.
I pyetur nga gazetarët, Rama tha se Agron Malaj nuk ka lidhje me ngjarjen dhe është provuar se s’ka lidhje.
Kryeministri zbuloi se Malaj ka qenë një nga njerëzit që ka informuar imtësisht për 21 janarin, megjithëse nuk e sqaroi se kë ka informuar Malaj.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Lindi nevoja për një krahasim të thjeshtë. Faleminderit për pyetjen. Sepse, e vërteta është siç thoni edhe ju. Agron Malaj ishte pjesë e Gardës së Republikës, ka qenë pjesë e atij grupi, por është e provuar katërcipërisht se nuk ka marrë pjesë në asnjë shkelje të ligjit. Juve që merreni me informacionin, keni të gjithë të drejtën dhe detyrën, para se të vendosni njerëzit në një kornizë shabllone, të investigoni. Është e vërtetë që është larguar si shumë të tjerë, por jo për të konfirmuar fajësinë morale, në këtë rast, por për t’i dhënë transparence procesit. Si mund, në cilën sferë të imagjinatës do shkoja unë për të pranuar dhe vendosur në një lidership, një person që do ishte fajtor, qoftë edhe moralisht në 21 janar. Ishte një nga ata që kanë informuar imtësisht për 21 janarin.