Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit janë duke punuar për ngritjen e një strukture të re. Uniformave blu do ti shtohet një tjetër njësi speciale për që do të shërbej për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Persona në kërkim me precedentë të theksuar kriminal, apo dhe në kërkim ndërkombëtar kohet e fundit janë përfshire në ngjarje të renda kriminale. Por një strukture e re e quajtur “Fast” po ngrihet në Policinë e Shtetit enkas për gjurmimin dhe arrestimin e këtyre personave. Pjesë e kësaj njësie pritet të jenë 50 efektivë të specializuar. Mësohet se në përbërje të këtij reparti do te marrin pjese forcat elite të ushtrisë. Sipas informacioneve nga Ministria e Brendshme, policia shqiptare ka nisur bashkëpunimin me partnerët e huaj për krijimin e kësaj strukture që është pjesë e rrjetit europian të njësive aktive për gjetjen dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe quhet ENFAST. Projekti ENFAST ka si qëllim që të rrisë sigurinë në Bashkimin Europian, duke përmirësuar efiçencën e bashkëpunimit të policisë të finalizuar me lokalizimin dhe arrestimin e kriminelëve të kërkuar në nivel ndërkombëtar dhe që kanë kryer krime të rënda. Në këto forca do të qëndrohet deri në moshën 45 vjeç.
Kur do të formohet dhe si do të funksionojë Fast
Njësia speciale Fast pritet të ngrihet brenda muajit maj. Burime nga uniformat blu se kjo njësi do të jetë e dyta pas forcave speciale të RENEA-s. Si fillim kjo njësi do të ketë në përbërjen e saj 50 efektivë. Elementët e përzgjedhur do të jenë kryesisht ushtarakë profesionistë që vinë kryesisht nga Garda dhe Forcat e Armatosura. Në këtë njësi mësohet se përveç efektivëve të specializuar për lokalizimin dhe ndërhyrjen për kapjen e kriminelëve do të ketë dhe njësi logjistike aparatura të sofistikuara të lokalizimit të personave si dhe snajperë. Skuadra bazë e ndërhyrjes është e përbërë prej 5 personash, por sipas rrethanave mund të krijohen skuadra prej 3-9 efektivë. Të gjithë efektivët e këtij reparti do të jenë të stërvitur në përdorimin e armëve, përfshi qitjen snajper, arte marciale, luftime në vende të mbyllura, zbritja me litar nga çatitë dhe helikopteri, teknika infiltrimi, transmetime dhe përgjime radio, fotografi, topografi dhe lundrim, alpinizëm dhe zhytje.
ENFAST-i në BE
Njësia “Fast” që do të ngrihet në vendin tonë do të ketë bashkëpunim të ngushtë me partnerët evropianë. Më konkretisht kjo njësi bashkëpunimin e saj do ta ketë me njësinë ENFAST, e cila është ngritur në disa vende të BE-së. ENFAST është miratuar në Këshillin e Europës në vitin 2013, dhe është një rrjet operatorësh policorë, aktivë 24 orë në 24, në gjendje që të veprojë menjëherë për lokalizimin dhe arrestimin e të kërkuarve. Referuar shpjegimeve që jepen në faqen zyrtare, ENFAST është një rrjet operatorësh policorë, aktive 24 orë në 24, 7 ditë në 7, në gjendje që të veprojë menjëherë për lokalizimin dhe arrestimin e të kërkuarve. Projekti u prezantua në vitin 2012 dhe u miratua nga Këshilli Europian në vitin 2013. Prej kohesh edhe në vendin tonë specialistë në Policinë e Shtetit po punojnë për ngritjen e strukturës “Fast”, njësi e cila do jetë e ngjashme si ajo e vendeve të BE-së Një nga arsyet e ngritjes së kësaj njësie të specializuar është se kohët e fundit jo pak persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, madje edhe në kërkim ndërkombëtar kanë arritur t’i shpëtojnë policisë duke u përfshirë edhe në ngjarje të rënda kriminale. Sipas burimeve nga uniformat blu për krijimin e kësaj strukture qe do të jetë pjesë e rrjetit europian të njësive aktive të kërkimit po punohet prej muajsh me partnerët ndërkombëtarë. Rreth 50 efektivë të specializuar , disa prej të cilëve nga radhët e ushtrisë mësohet se do të jenë pjesë e kësaj njësie që mendohet t’i kalojë në varësi sektorit të forcave operacionale.
Elvis Myrta