Ajaksi eliminon Juventusin dhe Ronaldon, kalojnë Barça dhe Mesi

0
410

Liga e Kampioneve dhuron surprizën e parë të madh në këtë raund çerekfinal. Juventusi eliminohet nga Champions, pasi u mposht brenda në fushën e vet në Torino nga Ajaksi me rezultatin 1-2. “Zonja e Vjetër” nuk ishte në ditën e saj më të mirë, kurse holandezët entuziastë dhe me besim në vetvete po shkruajnë historinë këtë sezon. pas Realit të Madridit, ata eliminojnë edhe Juventusin e tani duhen marrë seriozisht si pretendentë për trofeun. Holandezët treguan dhe një herë tjetër se nuk janë të rastësishëm në këtë fazë të UEFA Champions League. Ajaksi i këtij edicioni, i cili kishte eliminuar më herët Realin e Madridit, u tregua në të dy ndeshjet me italianët në nivel shumë të lartë, duke dhënë spektakël dhe duke mbajtur në ankth ekipin juventin. Në pjesën e parë të ndeshjes së djeshme, pati emocione të forta, me sulme e kundërsulme nga të dyja skuadrat dhe me një Ajaks që tregoi se është i frikshëm. Ka një mënyrë loje që u krijon kundërshtarëve panik të thellë dhe këtë ia provoi dje edhe Juventusit. Në fakt, ishte Kristiano Ronaldo që nxori një gol nga hiçi në minutën e 28-të, ku pas një faulli të dyshuar të Bonuçit nga një goditje këndi, brenda zonës zbulohet i lirë Ronaldo që me kokë e dërgon topin në rrjetë. U desh konfirmimi i VAR që goli të cilësohej i rregullt, ndërkohë që minutën e 34-t Doni Van de Bek barazoi për Ajaksin. Edhe në këtë rast u desh interpretimi i VAR, për një pozicion të mundshëm jashtë loje, por lojtarin holandez e mbante në lojë Di Shilio. Van de Bek u zbulua në hyrje të zonës, pasi mori një top në mënyrë “karamboleske” dhe i vetëm me portierin Shezni e dërgon sferën në rrjetë. Pjesa e parë mbyllet në barazim 1-1, por në pjesën e dytë italianët, duke tentuar të mbanin ritëm dhe ta fitonin ndeshjen, gabojnë dhe ishte De Light, në minutën e 67-të, që i asistuar nga Shroe realizon golin e epërsisë, duke vënë në kushte të vështira Juventusin dhe trajnerin Masimiliano Alegri. “Zonja e Vjetër përpiqet shumë që të balancojë rezultatin e ta përmbysë atë. Krijon volum të madh loje, duke tentuar nga krahët dhe në qendër, por holandezët mbrohen me forca të shumta, duke pasur besim në vetvete dhe ia dalin. Ndërkohë,Barcelona e zgjidhi ndeshjen e djeshme që në minutat e para të saj. Ishte i përhershmi Lionel Mesi që e zgjidhi mirë situatën në favor të skuadrës katalanase, duke shënuar dy gola të shpejtë që i dhanë qetësinë e duhur skuadrës blaugrana. Mesi realizoi golin e parë në minutën e 16-të dhe tjetrin në minutën e 20-të, duke bërë që fitorja të vihej në “hullinë” e duhur. Me rezultatin 2-0 u mbyll pjesa e parë e ndeshjes, e cila foli për katalanasit dhe ishte një epërsi e merituar po të mendohet dominimi i Barcelonës në kontrollin e topit dhe në rastet e krijuara. Në pjesën e dytë ishte sërish Barcelona që dominoi në fushë, falë dhe qetësisë psikologjike që kishte krijuar. Kutinjo realizon në minutën e 61-të një supergol, duke i vënë “kapak” fitores, më se të merituar për Barcelonën, e cila kishte fituar ndeshjen e parë në me Junajtid 1-0, takim të luajtur në “Old Trafford”. Sot luhen dy duelet e tjera çerekfinale, Mançester Siti-Totenhem dhe Porto-Liverpul.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here