Meta-Kryemadhi në luftë me ndërkombëtarët, Brukseli i vendos vijën e kuqe LSI, e përjashton nga diskutimet për procesin e integrimit

    0
    338

    Bashkimi Europian duket se i ka vënë vijën e kuqe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Vala e sulmeve që Monika Kryemadhi ka nisur ndaj ndërkombëtarëve e veçanërisht ndaj ambasadorit të OSBE dhe raportuesit për Shqipërinë Knut Fleckenstein, duket se po i kthehet në bumerang. Që gjatë vizitës të pak javëve më parë, Fleckenstein akuzoi drejtpërdrejt Monika Kryemadhin se nuk e do integrimin në Bashkimin Europian. Por më pas kryetarja e LSI nisi një valë sulmesh e akuzash ndaj tij, por një gjë e tillë duket se ka irrituar ndjeshëm eurodeputetin. Knut Fleckenstein ka qenë dje në Tiranë ku ka marrë pjesë në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian. Ai nuk u ndal gjatë në aktualitetin politik, por e bëri të qartë që Brukseli i ka mbyllur derën partisë së presidentit. Fleckenstein deklaroi dje se Brukseli është i hapur si për qeverinë ashtu dhe për Partinë Demokratike që të diskutojnë për procesin e integrimit, duke mos e përmendur farë Lëvizjen Socialiste për Integrim. “Jam vërtetë i lumtur që të mësoj që dhe zëvendës sekretari i SHBA ka të njëjtin mendim me ne në BE. Për ketë arsye jam i kënaqur që Këshilli Kombëtar po vijon punën e tij, sepse kjo përkthehet në sinjale pozitive. Duke pasur parasysh edhe një qeveri funksionale e cila është mjaft e nevojshme, gjë që është konstatuar, jam optimist përsa i përket ecurisë. Por ajo që ne biem dakord, dyert tona janë të hapura si për qeverinë, Parlamentin dhe Partinë Demokratike”, u shpreh Fleckenstein. Nga deklarata e raportuesit për vendin tonë, duket qartë se Brukseli ka përjashtuar LSI nga procesi i integrimit. Por kjo dëshmon gjithashtu se Meta e Kryemadhi janë në luftë me ndërkombëtarët, sidomos SHBA e BE. Meta kërcënoi SHBA me skenarë si Allende, ndërsa Kryemadhi sfidoi zyrtarin e DASH duke thënë se i zgjidhim vetë hallet tona. Po ashtu ka sulmuar Fleckenstein dhe ambasadorin e OSBE se janë të korruptuar dhe të përfshirë në afera seksuale. Po ashtu Meta ka sfiduar SHBA me çështjen e kufirit, Kosovë-Serbi. Të gjitha këto dëshmojnë që presidentit e bashkëshortja e tij janë në luftë me SHBA-BE. Por dje Brukseli duket e ja u bëri të artë se janë në listë të zezë.

    Reforma zgjedhore

    Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein u shpreh se reforma zgjedhore mund të bëhet edhe në kushtet aktuale që ndodhet Parlamentit, duke theksuar se realizimi i kësaj reforme duhet të bëhet nga mazhoranca dhe opozita e re. Ai deklaroi se ishte i kënaqur që edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matheë Palmer, ishte në një linjë me qëndrimin e shprehur më herët nga Bashkimi Europian. “Ne sikurse e dimë reforma në drejtësi është e rëndësishme sepse përbën bazën për të gjitha reformat e tjera. Deklarata ime do jetë mjaft e kujdesshëm sepse nuk dua të nxis më tej situatën e tensionuar në Tiranë. Unë tashmë kam shprehur mendimin tim për atë që po ndodh. Jam vërtetë i lumtur që të mësoj që dhe zëvendës sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka të njëjtin mendim me ne në BE. Ju e dini më mirë se si të gjeni një zgjedhje më të mirë dhe reforma elektorale mund të bëhet edhe në këto kushte ku jemi sot. Për këtë arsye uroj të kemi një diskutim sa më të mirë dhe sa më të dobishëm. Ne mund t’ju ndihmojmë dhe do t’i mbështesim të ecim përpara sa më shpejt”, u shpreh Fleckenstein. Raportuesi për Shqipërinë deklaroi se zbatimi i reformës në drejtësi është thelbësore në vendimin e Këshillit Europian për nisjen e negociatave për anëtarësimin e vendit. Fleckenstein deklaroi se Gjykata Kushtetuese dhe zyra e Prokurorit Special do të ngrihen së shpejti. “Ky takim është shumë i rëndësishëm për arritjet domethënëse të kohëve të fundit në fushën e drejtësisë. Zyra e Prokurorit Special do të ngrihet së shpejti, po ashtu edhe Gjykata Kushtetuese do të ngrihet, duke përbërë lajme shumë të mira në funksion të vendimit të qershorit. Jam i kënaqur që Këshilli Kombëtar po vijon punën e tij, sepse kjo përkthehet në sinjale pozitive”, u shpreh ai.

    Elisjeda Kiko

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here