Sondazhi i dytë, PS vijon të mbetet forcë e parë, rritet mbështetja për PD, bie LSI, shqiptarët dalin kundër djegies së mandateve

    0
    394

    Partia Socialiste vijon të jetë forcë e parë nëse do ketë zgjedhje të parakohshme, por nëse PD e LSI janë bashkë, situata mund të ndryshojë. Dje është publikuar sondazhi i dytë mbi zhvillimet politike në vend dhe shumica e shqiptarëve janë kundër opozitës, pas atij të “GPF Inspiring Research”. Bëhet fjalë për një sondazh të zhvilluar nga “IPR Marketing” në bashkëpunim me “Ora News”, ku janë pyetur 2 mijë shqiptarë në të gjithë vendin. Sipas sondazhit, nëse do të mbaheshin tani zgjedhje të parakohshme, atëherë Partia socialiste do të dalë sërish fituese, por PD ka rritje dhe LSI një rënie të lehtë. Sipas sondazhit, 44.0% e shqiptarëve janë të orientuar drejt votës së Partisë Socialiste. 38.0% janë të orientuar drejt Partisë Demokratike, 15.0% drejt LSI. Ndërsa 3.0% kanë thënë se do votojnë parti të tjera. Krahasuar me zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 orientimi i votës drejt PS ka pësuar rënie. Nëse në 2017 për PS kanë votuar 48.3 % e shqiptarëve në zgjedhjet e 3 prillit 2019 do të votojnë 44.0% e shqiptarëve. PD ka pësuar rritje krahasuar me 2017, nga 29.9% në 39.0% në zgjedhjet lokale të 3 prillit. Ndërsa LSI ka pësuar një rënie të lehtë nga 14.3% që ka qenë në 2017, 14.0% e shqiptarëve mendojnë të votojnë për LSI. Ndërsa parti të tjera nga 2.2% në 2017 janë rritur në 3% në 2019.

    Vlerësimi për liderët

    Kur vjen puna për të gjykuar veprimtarinë e qeverisë dhe të kryeministrit Rama, shifra e shqiptarëve që janë pro dhe atyre kundër është shumë e afërt me njëra tjetrën. 29.5% e tyre mendojnë se veprimtaria e kryeministrit Rama dhe qeverisë është pozitive, ndërsa 34.7% janë shprehur negativisht. 28.5% e shqiptarëve janë shprehur asnjëanës, për punën e qeverisë. Një grup prej 7.2% janë shprehur se nuk dinë të gjykojnë veprimtarinë e qeverisë. Punën dhe veprimtarinë e kreut të PD, Lulzim Basha shumica e shqiptarëve e kanë gjykuar negative. Janë 49.3% e tyre që gjykojnë negativisht veprimtarinë e Bashës, ndërsa 13.7% e shqiptarëve mendojnë pozitivisht për veprimtarinë e PD dhe liderit të saj. 28.6 % mendojnë se puna e Bashës është as pozitive dhe as negative. Ndërsa 8.3% janë shprehur se nuk e dinë.Veprimtarinë e kryetares së LSI, Monika Kryemadhi 57.2% të shqiptarëve e kanë vlerësuar negativisht. 8.2 % e tyre mendojnë se puna dhe veprimtaria e Kryemadhit janë pozitive. 22.7% mendojnë as pozitivisht dhe as negativisht, ndërsa 11.9% thonë se nuk e dinë. Sipas sondazhit, 18.1% e shqiptarëve mendojnë se veprimtaria e Presidentit Ilir Meta është pozitive, 40.9% mendojnë se veprimtaria e kreut të shtetit është negative. 29.6 % e qytetarëve mendojnë as pozitivisht as negativisht. Ndërsa 11.4% janë shprehur se nuk e dinë.

    Aksioni opozitar

    Nisur nga situata politike në vend, ku opozita kërkon zgjedhje të parakohshme, 51.9% e shqiptarëve janë shprehur kundër këtij qëndrimi. Në favor të zgjedhjeve të parakohshme janë shprehur 28.9% e qytetarëve shqiptarë. Ndërsa 19.2 janë shprehur se nuk e dinë. Sondazhi i IPR Marketing thotë se 18.9 % e qytetarëve mbështesin opozitën dhe kreun e PD Lulzim Basha në protestë. 21.3% e shqiptarëve ndajnë pjesërisht të njëjtin mendim me kreun e PD, Lulzim Basha, ndërsa 38.1 % e shqiptarëve nuk ndajnë të njëjtin mendim me Bashën dhe opozitën për organizimin e protestave të tyre. 21.7 % janë përgjigjur “nuk e di”. Po ashtu, 61.1% e qytetarëve shqiptarë janë kundër vendimit të opozitës për djegien e mandateve. 18.7%. e qytetarëve pajtohen me vendimin e opozitës për djegien e mandateve, ndërsa 20.2% janë shprehur se nuk e dinë.

    Kliti Topalli

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here