Lidhjet e opozitës me rusët alarmojnë SHBA, ish-agjenti i FBI tregon se si Berisha po kthehet në kukull të Putinit, zyrtari i DASH vizitë blic në Tiranë

    0
    481

    Amerikanët japin alarmin për lidhje të opozitës me rusët. Skenarët destabilizues të opozitës kanë bërë që shumë ekspertë të thonë se fshihet Moska, ndërsa ka dhe nga ata që guxojnë ta drejtojnë gishtin te ish-kryeministri Sali Berisha. Një ndër ta është ish-agjenti i FBI, Mark Rossini. Pak ditë më parë ishte ai që akuzoi Berishën se ka lidhje me Putinin, ndërsa dje ka folur gjerë e gjatë për këtë gjë. Në një intervistë për “Top Channel”, ai ka thënë se Sali Berisha është kthyer në kukull të Putinit. “Me këto protesta, Berisha po bëhet kukull e Putinit. Sepse, duke bërë atë që bëri, duke inskenuar ato protesta pikërisht në këtë kohë, po luan lojën e Putinit. Prandaj është kukull. Dhe po të mos e dijë ai. Ky është i gjithë kuptimi i postimit tim emocional. Ndalo dhe shiko se ç’do të thotë kjo në largpamësi. Kjo është e rëndësishmja. Shiko ndikimin në largpamësi, pasojat e kësaj. Jo vetëm qëllimin afatshkurtër. Do të ikë Rama e bëhesh kryeministër. Apo të duash të bëhet Basha kryeministër. Nëse Rama ka diçka që nuk shkon e duhet ndryshim, në rregull. Por nuk është tani koha. Po bëhesh kukull e Putinit. Po luan në favorin e tij duke bërë atë protestë”, deklaroi Rossini. Më tej, ai ka thënë se interesi i Rusisë për të hyrë në sektorë strategjikë, siç janë hidrokarburet është i madh. “Unë e di që Rusia ka kërkuar të marrë disa burime natyrore të cilat do që t’i kontrollojë në Shqipëri. Çdo investim i madh biznesi është hapi i parë drejt kontrollimit të një vendi, qoftë duke i blerë puset e naftës. Qoftë duke premtuar ndërtime të mëdha. Një autostradë, hekurudhë,që s’është gjë e keqe por ashtu krijon kapjen në brendësi të vendit që më pas ta kontrollojnë e ta kthejnë në satelit”, tha ai.

    Zyrtari i DASH në Tiranë

    Skenarët destabilizues të opozitës dhe dyshimet për lidhje të saj me rusët kanë alarmuar edhe Uashingtonin zyrtar. Ambasada e SHBA është distancuar ndjeshëm nga konflikti politik, ndërsa ka qenë tepër kritike ndaj PD e LSI në ato pak raste që ka reaguar. Por ashtu siç ndodhi në vitin 2016 me reformën në drejtësi apo në vitin 2017 kur PD doli nga çadra, edhe këtë herë situatën do e marrë sërish në dorë Departamenti Amerikan i Shtetit. Burime zyrtare nga ambasada e SHBA i thanë gazetës se në fillim të javës që vjen do të zhvillojë një vizitë në Tiranë zv/ndihmës Sekretarit Amerikan i Shtetit, Mathew Palmer. Sipas po të njëjtave burimeve, vizita vjen në kuadër të një turi në Ballkan, ku ai do të zhvillojë vizita dhe në shtetet e tjera rajonale. Në Tiranë, Palmer do të takohet me kryeministrin Edi Rama, kreun e opozitës, Lulzim Basha, ndërsa po ashtu pritet dhe një takim me presidentin Ilir Meta, por që nuk është konfirmuar zyrtarisht. Gazeta ka mësuar se vizita e tij vjen për shkak se Uashingtoni po e sheh me shumë shqetësim situatën e krijuar në Ballkan. Në Bullgari, Mal të Zi, Serbi e Shqipëri po zhvillohen protesta të fuqishme. Po ashtu këto protesta janë identike dhe po dalin në dritë fakte se mund të jetë lojë e rusëve. Për këtë arsye DASH do dërgojë në rajon Palmer, i cili është pasardhës i Hoyt Brian Yee, i njohur ndryshe si “Buldozeri” që detyroi Bashën të dilte nga çadra e të futej në zgjedhje. Vetë kreu i PD dhe Sali Berisha e pranuan se Brian-Yee i kishte dhënë atij ultimatum të prerë të negocionte me Ramën dhe t’i jepte fund krizës. Por si duket e njëjta situatë do përsëritet javën që vjen. Palmer pritet që njësoj si paraardhësi i tij të japë ultimatumin final për opozitën, duke detyruar Bashën të tërhiqet dhe palët të gjejnë një zgjidhje të mesme për t’i dhënë fund gjithçkaje. Por ndryshe nga viti 2017, këtë herë opozita ka djegur mandatet dhe është e vështirë të flitet për skenarë se si mund të zgjidhet kriza. SHBA e BE kanë deklaruar se qeveria e Parlamenti janë legjitime dhe kanë rrëzuar skenarin e zgjedhjeve të parakohshme. Megjithatë, mbetet të shihet, por vizita e Palmer është një sinjal se SHBA është acaruar me situatën në vendin tonë në rajon dhe po ndërhyn për t’u dhënë fund trazirave. 

    Kliti Topalli

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here