Protesta dhe djegia e mandateve nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e kanë dëmtuar aspak punën e Parlamentit. Ditën e djeshme u zhvillua seanca e radhës parlamentare dhe nuk munguan diskutimet si nga deputetët e mazhorancës, ashtu edhe nga deputetët e rinj. Kanë qënë disa çështje për të cilët ligjvënësit kanë folur dhe diskutuar, sikundër projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2016 për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”, por edhe Projektvendimit “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”. Mirëpo, shumë vëmendje në fjalën e deputetëve mori pikërisht projektligji për vetingun në polici, ku Parlamenti me votat e ligjvënësve, pas diskutimeve vendosi që të ndryshojë me procedurë të përshpejtuar. Vendimi për të hyrë me procedurë të përshpejtuar u miratua me 73 vota pro dhe 4 kundër. Drafti i ri i hartuar nga mazhoranca dhe qeveri parashikon që verifikimi për policët e thjeshtë do të kryhet nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme. Momentalisht në ligj parashikohet që vetingun në Policinë e Shtetit ta bëjnë tre institucione, të cilët janë Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, Komisioni Qendror i Vlerësimit dhe Komisioni Vendor i Vlerësimit. Por me propozimet e reja që janë bërë nga qeveria, dy komisionet e fundit shkrihen dhe zëvendësohen nga SHÇBA.
Në veting 300 drejtuesit më të lartë të policisë
Sipas parashikimeve në ligj, 300 drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, do të vetohen nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit. Në këto kategori bëjnë pjesë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deri tek zv/drejtorët apo drejtuesi i SHÇBA dhe kolonelët e nënkolonelët. “Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit vlerëson punonjësit në pozicionet ose me gradat e mëposhtme: a) drejtor dhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm, drejtor departamenti, drejtor i Drejtorisë Qendrore, drejtor e zëvendësdrejtor vendor dhe shef komisariati, në Policinë e Shtetit; b) komandant e zëvendëskomandant, si dhe çdo oficer me gradë major, nënkolonel dhe kolonel në Gardën e Republikës; c) drejtor dhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm, si dhe drejtor e shef sektori në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat”, thuhet në nenin 6 pika 1 e ligjit.
SHÇBA veton punonjësit e thjeshtë
Vendin bosh të dy komisioneve që parashikoheshin në ligjin aktual dhe që janë hequr me draftin e ri të qeverisë dhe mazhorancës, do ta marrë Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme. Në projekt vendimi, thuhet se ky institucion do të bëjë vetingun për punonjësit e thjeshtë të Policisë së Shtetit. “a) Punonjësit e policisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në strukturat e veçanta, me përjashtim të punonjësve të përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, punonjësit e Akademisë së Sigurisë dhe të Institutit të Policisë Shkencore; b) punonjësit e Gardës së Republikës me gradë nëntoger, toger, nënkapiten, kapiten; c) punonjësit e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, me përjashtim të punonjësve të përcaktuar në shkronjën “c”, të pikës 1, të këtij neni”, thuhet në ligj.
Rigels Seliman