KLP hap sot garën për Prokuror të Përgjithshëm, Arta Marku kërkon mandat 7-vjeçar

0
373

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet ditën e sotme në orën 10:00 për të hapur garën për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Momentalisht, detyrën e kryeprokurorit e ushtron Arta Marku, e cila u zgjodh si një drejtuese e përkohshme deri në momentin që do të ngrihej dhe do të niste nga puna KLP. Edhe pse Këshilli i Lartë i Prokurorisë u konstituua që në dhjetor të vitit të kaluar, çelja e garës për kryeprokuror mori kohë sepse anëtarët e KLP u angazhuan në hartimin e një rregulloreje për vlerësimin dhe përzgjedhjen mes kandidatëve. Sipas informacioneve, deri tani kanë shfaqur interes 5 emra për të marrë postin e Prokurorit të Përgjithshëm, mes të cilëve është edhe Arta Marku. Kjo e fundit kërkon të gëzojë një mandat 7-vjeçar. Përveç Markut, një tjetër emër nga radhët e akuzës që mësohet se do të garojë për të marrë postin e numrit një të akuzës është Olsian Cela, ish-drejtuesi i Krimeve i njohur edhe si prokurori i laboratorit të kokainës në Xibrakë.

Ndërsa ndër emrat e tjerë që përfliten si persona që pas miratimit të rregullores do të shfaqin interes për të garuar janë Adnand Xholi, Enrik Ligori, Ervin Kondili. Mirëpo, gazeta mësoi se emrave nga radhët e akuzës pritet t’i shtohen edhe juristë karriere, të cilët për më shumë se një dekadë nuk kanë qenë të përfshirë në aktivitetet politike dhe që kanë shfaqur ambicien për të qenë kryeprokurori i ri, sikundër është Plarent Ndreca. Referuar ndryshimeve kushtetuese, Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional, që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose kanë një gradë shkencore në drejtësi. Kandidati nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike. Ndërkohë, përpos hapjes së garës për kryeprokuror, KLP do të diskutojë sot edhe rregulloren e hartuar për të vlerësuar kandidatët e SPAK, si edhe do të miratojë magjistratët prokurorë udhëheqës për praktikën profesionale të kandidatëve për magjistratë në Shkollën e Magjistraturës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here