Prapaskenat, ja si djegia e mandateve rrezikon shkrirjen e LSI dhe rrudhjen e PD, zgjedhjet vendore vendimtare për partinë e presidentit

0
412

Djegia e mandateve nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim mund t’u bjerë dhe si bumerang krerëve të tyre. Kur Basha doli në konferencë shtypi të dielën, askush nuk e mori seriozisht se do i dorëzonin mandatet. Por në fakt PD e LSI u bënë bashkë dhe hoqën dorë nga Parlamenti, duke kërkuar qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Por çfarë mund të prodhojë djegia e mandateve? A është kjo rruga e duhur për të rrëzuar qeverinë? Kush do të dalë i fituar në fund të kësaj loje? Këto janë disa pyetje, përgjigjet e të cilave janë të vështira për këdo, pasi politika dhe qytetarët po përballen me një precedent të pandodhur më parë, si në vendin tonë, ashtu dhe në shoqëritë e tjera demokratike. Sipas burimeve të gazetës, opozita do ecë në dy linja për të bindur Ramën të tërhiqet. Linja e parë është ajo e protestave dhe destabilizimit dhe e dyta është përmes lobimeve dhe sponsorizimeve në arenën ndërkombëtare, me shpresën se SHBA e BE do e detyrojnë Ramën të tërhiqet. Por djegia e mandateve ka bërë që topi të jetë në fushën e Ramës dhe është kryeministri ai që tani mund të vendosë fatet e qeverisë së tij, por dhe fatet e PD dhe të LSI. Historia ka treguar se në ato vende ku ka pasur djegie mandatesh, partitë që i kanë iniciuar janë shkrirë. A mund të ndodhë diçka e tillë në vendin tonë? Të gjitha mundësitë janë të hapura. Në pamje të parë partia më e rrezikuar në këtë mes është LSI. Zgjedhjet e 2017 e dëmtuan jashtë mase këtë parti, e cila nga mbi 35 deputetë që synonte të merrte, mori 20. Dihet që elektorati i saj janë persona të punësuar në administratë. Në administratën publike drejtorët e saj janë bashkuar me PS, ndërsa të tjerët janë shkarkuar. I vetmi elektorat që i ka mbetur është ai në 7 bashkitë e drejtuara prej saj. Por zgjedhjet vendore po afrojnë dhe ato vendosin fatin e partisë së presidentit. Nëse Rama reziston deri më 30 qershor, me shumë gjasë PD e LSI do i bojkotojnë zgjedhjet. Kjo do të thotë se do hyjnë në lojë parti të tjera që do i zëvendësojnë në pushtetin lokal, ndërsa PS do marrë pothuajse pjesën dërrmuese të bashkive. Në këtë mënyrë LSI e humbet dhe atë pak elektorat që ka dhe deri në zgjedhjet e ardhshme mund të jetë braktisur. Po ashtu edhe PD humbet terren, por duke qenë se ka një elektorat bazë, mund të rrudhet, pro jo të shkojë te shkrirja totale. E kundërta vlen për LSI, pasi anëtarët e saj kanë treguar se nuk janë besnikë. Me mijëra janë bashkuar me PS dhe kjo tregon se mund ta braktisin LSI dhe ata që i kanë mbetur nëse ajo nuk është më në pushtet.

Lëvizjet politike
Përveç LSI, edhe PD rrezikon të humbasë elektorat. Edhe fati i saj varet nga strategjia që do ndjekë kryeministri. Burime të gazetës thanë se Rama për momentin nuk do lëshojë pe, në mënyrë që opozita të bëhet e bezdisshme për qytetarët. Bllokimet e rrugëve dhe protesta nuk pëlqehen nga të gjithë dhe kjo kthehet në bumerag për PD-LSI. Rama momentalisht shprehet se zgjedhjet do mbahen në 2021. Nëse ndodh kjo, deri atëherë do ketë shumë të zhgënjyer në PD, pasi strategjia e Bashës dështoi. Vetë Basha rrezikon të largohet dhe kjo parti mbetet me një grusht deputetësh. Por edhe nëse marrim variantin tjetër të zgjedhjeve të parakohshme, ato do mbahen kur të dojë Rama dhe jo kur të dojë PD apo LSI. Rama ka nisur një tur takimesh në të gjithë vendin dhe elektorati i majtë është i përgatitur për zgjedhje. Nëse kemi zgjedhje të parakohshme ato bëhen për 45 ditë dhe PD me LSI nuk janë të përgatitur në këtë mes dhe s’është çudi që PS të dalë më e fituar. Por një tjetër skenar është se Rama do presë zgjedhjet vendore, për të parë se sa elektorat ka pas vetes. Nëse rezulton që PS ka ende dominim në vend, s’është çudi që të shkojmë në zgjedhje në verë, apo vjeshtë. Sërish në këtë me humbin PD e LSI, pasi qëndrimi jashtë Parlamentit do i dobësojë. Pra ka shumë faktor që do varin të ardhmen e PD dhe LSI. Së pari janë zgjedhjet vendore. Nëse nuk hyjnë aty, LSI shkrihet, ndërsa PD rrudhet. Por tjetra është se sa gjatë do rezistojë Rama. Nëse kryeministri nuk tërhiqet për muaj me radhë, padyshim që PD e LSI do dobësohen, pasi qytetarët do lodhen me to. Vetë Rama ka thënë se politika është lojë shahu. Mbetet të shihet strategjia e secilës palë.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here