Ramos i tronditur nga penalizimi i UEFA-s: Kartonin s’e mora me qëllim, ndëshkimi im i padrejtë

0
445

UEFA futi në proces disiplinor dy lojtarë të Realit të Madridit, mbrojtësin Serxhio Ramos për marrjen me dëshirë të kartonit të verdhë, një lëvizje që dënohet në futboll, si dhe sulmuesin Gareth Bejl për shkak të sjelljes së gabuar të tij ndaj tifozëve kundërshtarë. Në fakt, Ramos edhe zyrtarisht është nën hetim nga UEFA në lidhje me kartonin e verdhë që mori në ndeshjen Champions ndaj Ajaksit. Në përfundim të ndeshjes, ai tha se e dinte që do të merrte karton të verdhë dhe do të mungonte ndeshjen e kthimit, por pranoi se ky ishte vendimi më i saktë. Në lidhje me këtë deklaratë, UEFA ka hapur një hetim karshi tij duke qenë se dyshohet se ai ka plotësuar numrin e kartonëve për shkak se do që të jetë i pastër në fazat tjera. Vetë Ramos ka kërkuar që të qartësojë gjithçka për mediat spanjolle, ku në një prononcim për “Marca” ai ka treguar edhe të vërtetën e kartonit të verdhë si edhe ka shpjeguar edhe njëherë intervistën pas ndeshjes, duke u shprehur se ajo është keqkuptuar. Ramos duket i bindur se kartoni nuk u mor me qëllim, megjithëse e dinte që do të mungonte. “Realisht jam i befasuar për këtë që po ndodh. Unë thash se ishte ndërhyrja e pashmangshme dhe se duhej bërë, nuk thashë se duhej marrë patjetër kartoni i verdhë. Ata kishin një kundërsulm në minutat e fundit dhe ndeshja ishte me rezultat të ngushtë. Unë thash se do të gënjeja nëse do të thosha se nuk do të ndëshkohesha. Unë e dija që do të ndëshkohesha me karton të verdhë, por nuk e mora me qëllim kartonin. Prandaj edhe thashë që në futboll ka vendime të ndërlikuara. Nëse do të ishte për karton të verdhë, shumë mirë mund ta merrja në fazën në grupe ndaj Romës dhe të mungoja ndaj CSKA-së së Moskës pasi ishim të kualifikuar. Për më tepër, nën ndeshjen e fundit nuk u ftova fare, u shpreh Ramos. Ndërkohë, rigjetja e qetësisë dhe rezultateve në kampionat, barazimi në El Clasicon e parë të Kupës së Mbretit, por edhe fitorja ndaj Ajaksit në Champions, kanë bindur drejtuesit e Realit të Madridit, që të konfirmojnë trajnerin Santiago Solari në stol edhe për sezonin e ardhshëm. Tekniku argjentinas po fut në rrugën e duhur një sezon të nisur në mënyrë të tmerrshme nga ish trajneri i Spanjës, Julen Lopetegui, ndërsa ka përfshirë në formacion edhe disa elementë të rinj si Vinicius dhe Rexhuilon. Por konfirmimi i Solarit hap skenarë të rinj edhe në merkaton e verës, pasi disa prej futbollistëve aktualë të Realit nuk shihen me sy të mirë nga argjentinasi dhe do të kërkojnë një tjetër strehim për sezonin e ardhshëm. Në krye të listës qëndron fantazisti spanjoll Isko, i cili nuk e gjen veten aspak në skemat e Solarit dhe sa herë që është thirrur në apel, nuk ia ka dalë të lërë gjurmë, duke humbur besimin e trajnerit dhe skuadrës. Për Iskon kanë shprehur interes shumë skuadra, përfshi këtu Juventusin, Çelsin dhe Mançester Sitin, të cilat janë gati të paguajnë deri në 80 milionë euro për kartonin e spanjollit, ndërsa tashmë topi është në fushën e Perez, që pritet të thotë fjalën e fundit. Një tjetër futbollist që nuk do të ketë të ardhme në Madrid, nëse konfirmohet Solari, do të jetë edhe mbrojtësi i majtë brazilian, Marcelo.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here