Kryeministri Edi Rama i ka dhënë ditën e djeshme një tjetër goditje paraardhësit të tij, Sali Berisha. Teksa ky i fundit po sulmon Hashim Thaçin dhe po hiqet sikur kërkon ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës, Rama dje ia ka thënë hapur se Berisha është njeri i Serbisë. Përmes një statusi në rrjetet sociale, shefi i qeverisë ka reaguar pas sulmeve të Berishës ndaj Hashim Thaçit. Ish-kryeministri e cilësoi Presidentin kosovar si argat të serbëve, ndërsa theksoi se më mirë preferon të debatojë me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç se sa me Thaçin. Por kryeministri Edi Rama i ka kujtuar Berishës kohën kur ishte President i Shqipërisë, duke vënë në dukje faktin se asokohe ka ndihmuar Serbinë dhe furnizuar me naftë tanket e Millosheviçit. Madje, i pari i qeverisë shkoi më tej teksa e akuzoi Berishën se ka qenë edhe kundër marrëveshjes së “Rambujesë”. “Furnizoi me naftë tanket e Kasapit të Beogradit. Bëri thirrje për të refuzuar Rambujenë. Shpalli terroristë marksistë-leninistë luftëtarët e UÇK. Ibrahim Rugova s’denjoi t’i fliste më derisa vdiq. Sot e quan Presidentin e Kosovës argat albanofob të Beogradit! Vesi del me shpirtin”, deklaroi ai. Po ashtu kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha lidhur me akuzat e adresuara ndaj tij dhe familjarëve të tij. Në rubrikën “Përgjigja ime”, Rama në përgjigje të një komentuesi, thotë se e ka të pamundur të evitojë të gjithë llumin e akuzave që Berisha bën ndaj tij, ndërsa e cilësoi ish-kryeministrin si kufomë politike. Madje, i pari i qeverisë theksoi se nëse hesht para Berishës, ky i fundit e merr për dobësi dhe të futet në shtëpi. “Populli thotë “kush fle me qenin gdhihet me pleshta”. Kjo më gjeti dhe mua sot. Kur të zë rrugën një i marrë, një rrugaç apo i dehur është e pamundur të kalosh nëse nuk merresh me të në një mënyrë apo në një tjetër. Fatkeqësisht i marri, rrugaçi apo i dehuri këtu tek ne ka arritur të marrë dhe formën e një deputeti në Kuvendin e Shqipërisë dhe shfaqet vazhdimisht për turpin e atyre që e kanë votuar por edhe për turpin e të gjithëve ne si shoqëri dhe si vend. E kam gozhdë në zemër fatkeqësinë që në atë Kuvend nuk jam i sfiduar nga inteligjenca, përgatitja, oratoria apo përgatitja e kundërshtarit. Por i sulmuar nga vrazhdësia, gojëndytësia dhe muskujt e tij. Nuk e di si mund të injorohen të paudhët. Nuk kam asnjë sekondë të ditës sime kur mendoj seriozisht për Salihun, nuk më hyn gjëkundi në punë dhe ka vdekur koha kur më prishte pune ajo kufomë politike që kalbet sot në karrigen e deputetit pa nder dhe lavdi”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
CIA: Berisha theu embargon ndaj Jugosllavisë
Akuza në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha se ka furnizuar Serbinë me naftë gjatë kohës që ishte President i Shqipërisë ka hedhur edhe SHBA-ja. Gazeta pak ditë më parë nxori një dokument të CIA, i cili tregonte se si qeveria e drejtuar nga Sali Berisha theu embargon që OKB kishte vendosur ndaj Jugosllavisë në vitet 1993-1996. OKB asokohe ndaloi të gjitha shtetet që të bënin tregti me Jugosllavinë, sidomos për lëndët djegëse. Por Shqipëria dhe Mali i Zi ishin të vetmet shtete që e thyen. Sipas CIA, qeveria “Berisha” blinte naftë në Greqi dhe pastaj e shiste në Jugosllavi me çmim disa fish më të lartë. Kjo solli të ardhura të lartë në vend. Mirëpo, sipas FMN, qeveria e asaj kohe realizoi Embargon përmes disa prej firmave piramidale. Në raportin e amerikanëve bëhet e ditur se disa prej firmave kishin nisur të lulëzoni që shumë vite më parë dhe u fuqizuan pikërisht nga embargoja e naftës. Pra, duket qartë që edhe akuzat e Ramës ndaj Berishës nuk janë të pabazuara, pasi të njëjtën gjë ka bërë edhe CIA.
Rigels Seliman








































