Pallat 10 kate pa leje dhe trafik droge, ja kush është biznesmeni i arrestuar në Shkodër

0
497

Policia e Shkodrës, pas një hetimi disamujor ka vënë në pranga 44-vjeçarin Bardhok Planaj. Arrestimi i tij ka ardhur për shkak se ka ndërtuar një pallat me 10 kate pa leje. Ai është i dyshuar dhe për trafik nderkombetar droge.Përveç kësaj, ndërtesa me vlerë 2 milionë euro dyshohet se është financuar nga të ardhura që mund të kenë ardhur si rrjedhojë e aktivitetit kriminal që ka kryer ky shtetas më parë.

Lëshimi i urdhrit të arrestimit të tij nga Gjykata e Shkodrës është bërë për tri veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Ndërtim pa leje”.

Prokuroria në bashkëpunim me Policinë prej disa muajsh kishin nisur hetime për 44-vjeçarin, i cili tri vite më parë ishte pjesë dhe e debateve politike në vend. Ai i shpëtoi arrestimit në vitin 2015 duke u fshehur në makinën e ish-deputetit, Mark Frroku.

Përveç kësaj, në fund të vitit 2014 biznesmeni u shpall në kërkim për sasinë rekord të lëndës narkotike prej 800 kg kanabis sativa të kapur në Lagunën e Vilunit në Lezhë, që kishte si destinacion Malin e Zi.

Edhe pse pa lejen përkatëse të autoriteteve, Bardhok Planaj ka ndërtuar një pallat gjigant me 10 kate në qytetin e Shkodrës. Ndërtesa gjendet në lagjen “Rus” dhe kap një vlerë prej 2 milionë eurosh. Pallati është vendosur në sekuestro, pasi përveçse është ndërtim i paligjshëm, dyshohet se është ndërtuar me para që kanë ardhur nga trafiku u drogës. Ndërtimi është kryer nga firma e Planajt “Old-B”, të cilën e pezulloi përkohësisht pasi u shpall në kërkim dhe e riaktivizoi disa muaj më pas, kur arriti të dilte si person i papërfshirë në drogën e kapur në Lagunën e Vilunit.

Pati dyshime se në tetor të vitit të shkuar, pasi policia ndërhyri për ta arrestuar, nuk u lejua pasi Pllanaj udhëtonte me makinën e Mark Frrokut, në atë kohë deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Deputeti Frroku ka mohuar të ketë ndihmuar Pllanajn t’i shmangej arrestimit, por është raportuar se, në raportin e oficerëve të gjurmimit në sektorin e narkotrafikut, shkruhet se i dyshuari në survejim prej tyre ka lëvizur nga lokal “Antika” në Tiranë drejt Laprakës me automjetin Audi në pronësi të deputetit./

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here