Poema dramatike “Gjergj Kastrioti Skënderbeu ” u shfaq për publikun në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Shfaqja e interpretuar nga aktori i njohur Xhevat Limani në rolin e Skënderbeut dhe sopranoja Era Hoxha në rolin e Donikës për publikun në Tiranë u prezantua pas një turi në disa vende dhe skena të ndryshme në botë. Shfaqja vjen në skenë në kuadër të 550 -vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe disa ditë më parë artistët u prezantuan edhe në sallën e teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër. Projekti teatror “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, shkruar dhe realizuar nga Xhevat Limani, trajton aspektin psikologjik të qasjes oratorike të kryeheroit kombëtar, përballë strategjisë luftarake të pushtuesit, perandorisë osmane.
Në strukturat e dramës janë protagonistë dhe antagonistë, heronj dhe tradhtarë, mercenarë dhe atdhetarë. Autori me një fragmentaritet kronologjik paraqet ngjarjet me vendimtare të jetës dhe veprës së heroit të shekullit të XV-të që luftonte për krijimin e shtetit të Arbërit. Lufta e Skënderbeut mori karakter evropian, pasi heroi ynë me ushtrinë dhe popullin e tij të rraskapitur për 25 vite rresht iu kundërvu ushtrisë së perandorisë e cila ishte me dhjetëra herë më e madhe në numër dhe natyrisht me armatime më të rënda dhe të sofistikuara. Mirëpo strategjia e Skënderbeut, sulmet e shpejta me tërheqje, krijonin huti e tollovi mes hordhive barbare dhe shpesh herë dilte fitues i betejave.
Muzikën e ka kompozuar Aleksandër Peçi, kostumet Enkel Dika dhe skenografia nga Kristaq Kapedani. Aktori i parë profesionist ndër shqiptarët e Maqedonisë Xhevat Limani mbi tridhjetë vite punoi në Teatrin Shqiptar në Shkup. Ka luajtur 100 premiera teatrore dhe ka prezantuar artin shqiptar nëpër botë. Është pritur me ovacione nga publiku dhe me vlerësime. Si regjisor ka realizuar mbi 30 vepra teatrore. Është shpërblyer me dhjetëra herë si aktor dhe si regjisor. Ka luajtur në 12 filma artistik shqiptar Realizoi 16 filma dokumentarë. Pas një shqetësimi dhjetëvjeçar, në kuadër të teatrit shqiptar në Amerikë realizoi kryepoemën kombëtare “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” si autor i tekstit, regjisor, aktor, në bashkëpunim me regjisorin Michael Tylo, aktor Hollyvudi.