Gara në Bankën e Shqipërisë ndez debatet në PS, deputetët kundër bashkëshortes së Vangjel Tavos, ja diskutimet në mbledhje grupi

0
419

Propozimet e qeverisë për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë kanë ndezur debatet brenda mazhorancës. Dje u mbajt mbledhja e grupit e PS, ku në fokus ishin buxheti 2019 dhe vendet vakante të krijuara në Bankën e Shqipërisë. Në mungesë të kryeministrit Edi Rama ndodhet në Kosovë, mbledhja u drejtua nga kreu i grupit Taulant Balla, i cili u la një sërë porosish deputetëve. Por gazeta ka mësuar se ka pasur debate sa i takon emrave të propozuar nga qeveria për në Këshillin Mbikëqyrës të BSH. Rama i ka dërguar Kuvendit 3 emra: Ridvan Boden, ish-ministër Financash i PD; Suela Popën, ish-drejtoreshë e AZHBER, bashkëshortja e deputetit Vangjel Tavo dhe Edlira Luçin, shefe e Departamentit të Financës, Fakulteti i Ekonomisë Tiranë. Propozimi i Bodes ishte surprizë për të gjithë, por në mbledhjen e grupit të PS janë dhënë sinjale se socialistët do e pranojnë emrin e tij. Por kandidatura që ka ngjallur debate është ajo e zonjës Suela Popa. Socialistë kanë dalë kundër saj, me argumentin se sa kohë që ishte në krye të AZHBR, ky institucion kishte performancë të dobët. Sipas tyre, nuk mundet që ajo të marrë atë post. Popa është bashkëshorte e Vangjel Tavos dhe marrëdhëniet PS-LSI nuk janë aspak të mira këto kohë. Socialistët dje kanë dhënë sinjale se emri i saj mund të s’kualifikohet nga Komisioni i Ekonomisë ose nga seanca plenare. Një pjesë e madhe e deputetëve janë rreshtuar kategorikë kundër emrit të saj. Por surpriza ka qenë Bodja, pasi duket se socialistë kanë rënë dakord deri diku që ai të miratohet.

Reagon Braçe

Për garën në Bankën e Shqipërisë ka reaguar dhe kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe. Ai ka deklaruar se të gjithë kandidaturat do të verifikohet me imtësi nga Kuvendi. “Gjithsecili që vjen në komision është kandidat. Në qoftë se jeni mësuar me faktin që ai që propozohet u bë e keni gabim. Në këtë komision ka ndodhur që janë rrëzuar edhe 20 kandidatë për institucione të rëndësishme. Vlerësim për asnjë individ unë nuk kam. Vlerësimin e bën komisioni dhe më pas deputetët me votë në parlament. Mos më kërkoni të shprehem për njerëz që do dëgjohen në komision ekonomie”, deklaroi Braçe. Por që të plotësohen 6 vendet e mbetura në këshill duhet që deputetët e kuvendit qofshin të majtë apo të djathtë të propozojnë edhe 3 kandidatë. Kryetari i Ekonomisë Erion Brace thotë se ka zhvilluar një takim me nënkryetaren e komisionit, demokraten Jorida Tabaku, por ende nuk kanë dalë emra konkretë. “Po është e vërtet unë dhe Znj.Tabaku si drejtues të këtij komisioni jemi takuar por në asnjë rast as nga ajo as nga unë nuk kemi folur për emra qofshin të së majtës qoftë dhe për emrat që vijnë nga deputetë të djathtë. Janë deputetët që nga lista e madhe e të vetëpropozuarëve duhet të propozojnë me 28 firma kandidatët e mundshëm për 3 vendet vakante në BSH, ky proces nuk ka ndodhur”, tha deputeti i PS. Në muajin nëntor Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u bllokua, pasi 6 anëtarëve ju mbaroi mandati. Më konkretisht u mbaroi mandati: Dhori Kules, Arben Malajt, Ela Golemit, Elisabeta Gjonit, Petraq Milos dhe Denada Priftit. 3 të parët ishin propozime të qeverisë, ndërsa të tjerët propozime të Kuvendit.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here