Presidenti Ilir Meta ka bërë prapaktheu sa i takon ngritjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Teksa Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe prokuroritë dorëzuan kandidatë për KED, nuk ndodhi aspak kështu me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ky i fundit nuk dorëzoi asnjë kandidaturë, me argumentin se afati i dispozitave transitore ka mbaruar dhe i takon Këshillit të Lartë Gjyqësor të propozojë emrat e rinj. Por ky organ nuk është ngritur dhe pak ditë më parë Komisioni për Koordinimin e organeve të reja të drejtësisë kërkoi që të vijohet me këto dispozita, duke detyruar KLD të dorëzojë emrat e rinj. Gazeta ka mësuar se ky institucion ka dorëzuar emrat e të gjithë gjyqtarëve që plotësojnë kushtet për të qenë anëtarë të KED. Refuzimi i KLD u pa si një tentativë e këtij institucioni për të vonuar KED. Por nëse KED bllokohet, atëherë nuk mund të zgjidhen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektori i Drejtësisë. Por Kuvendi nuk e lejoi dhe KLD e drejtuar nga presidenti Ilir Meta ka bërë prapaktheu. Por përveç kësaj, KLD vijon të lexojë ndryshe ligjin dhe si i takon çështjeve të tjera. Në nenin 221 thuhet se të gjithë institucionet që propozojnë kandidatë duhet që t’i publikojnë ato në faqet zyrtare. Kushtetuesja, prokuroria dhe Gjykata e Lartë i kanë publikuar te faqet e tyre, por KLD refuzon t’i publikojë. Deri më tani shorti për KED është hedhur dy herë dhe në të dyja rastet KLD ka marrë kritika nga Kuvendi se nuk publikon emrat. Për këtë arsye gazeta dje foli me zëdhënësin e KLD për të ditur se përse dhe këtë vit emrat nuk publikohet. KLD vijon të këmbëngulë te përcaktimet e pikave 4 dhe 5 të nenit 221. Por ajo që bie në sy është se vetëm ky institucion e lexon ndryshe ligjin, pasi gjykata dhe prokuroritë tjera mendojnë krejt të kundërtën. Por KLD duket se po ecën drejt precedentit të Adriatik Llallës. Ky i fundit u përplas me ambasadorin Donald Lu në vitin 2017 me argumentin se kishte dërguar si kandidat vetëm emrin e Rovena Gashit. Por për ndërkombëtarët kjo ishte lëvizje strategjike duke e lexuar ndryshe ligjin. Si duket dhe KLD tani bën të njëjtën gjë.
Ja rekomandimet e komisionit
Presidenca dhe KLD ishin në një linjë sa i takon ligjit për KED. Presidenca refuzon të hedhë shortin me argumentin se nuk janë ngritur KLGJ dhe KLP, ndërsa dhe KLD me këtë argument refuzoi të dorëzonte kandidaturat. Por Komisioni për Koordinimin e organeve të reja i hodhi poshtë. “Komisioni i Pavarur i rekomandon Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut dhe nëpërmjet tij organeve të ngarkuara nga Kushtetuta dhe ligji për zbatimin e dispozitave të shqyrtuara nga ky raport, rihapjen e procedurës për hedhjen e shortit për anëtarët e Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi me këtë arsyetim: dispozitat transitore të parashikuara në nenin 284 të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” kanë në themel të tyre krijimin e një organi, i cili do të kryejë funksionet e KED, deri në ditën kur do të krijohen kushtet për ngritjen e KED”, thuhet në raportin e komisionit të monitorimit të reformës në drejtësi. Duke e cilësuar këtë si një KED të përkohshme derisa të ngrihen KLGJ dhe KLP, komisioni thekson se mospërcaktimi i këtij termi në Kushtetutë nuk duhet të shërbejë si justifikim për të bllokuar procesin, duke i dërguar kështu mesazh Metës. “Për Kushtetutën nuk ka rëndësi emërtimi KED apo KPESD për shkak se Kushtetuta e ka menduar procesin si proces stafetë, ndaj ngatërrimi i termave nuk mund të shërbejë si justifikim për bllokimin e procesit”, thuhet në raport.
Kliti Topalli