KQZ miraton planin, Klement Zguri “tradhton” opozitën, Basha-Kryemadhi afat deri në 1 maj për të zyrtarizuar koalicionin

0
487

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar ditën e djeshme planin për zgjedhjet vendore të vitit 2019. Edhe pse Partia Demokratike refuzoi të propozojë dy emrat e saj në KQZ, kjo gjë nuk e ka penguar aspak punën e këtij institucioni. Ditën e djeshme 5 anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve edhe pse Klement Zguri është aty nga opozita, kanë bashkuar votat me mazhorancën, duke miratuar planin orientues për votimet sa i takon vendoreve të vitit 2019. Gazeta ka siguruar planin, ku bie në sy fakti që Partia Socialiste do të hyjë e vetme në zgjedhje, ndërsa Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë afat deri në 1 maj. “Jo më vonë se data 01 maj 2019 për depozitimin e kërkesës për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore në KQZ. Aktet për regjistrim. Ndërsa jo më vonë se data 13 maj 2019 Dorëzimi i listave shumemërore e kandidatëve për këshillat vendorë në KZAZ/KQZ”, thuhet në raportin e siguruar nga gazeta. Ndërkohë që në mungesë të dakordësisë mes mazhorancës dhe opozitës plani i orientimit do të mbështetet te kodi i vjetër zgjedhor. Nga ana tjetër përfaqësuesi i PS në KQZ, Eridian Salianji i bëri thirrje opozitës që të plotësojë vendet vakante për të përgatitur procesin.

LSI rrit presionet

LSI ditët e fundit ka rritur presionet ndaj Partisë Demokratike që të hyjnë së bashku në zgjedhje. Të dielën ishte kryetarja Monika Kryemadhi e cila deklaroi se do të dalin me kandidatë të përbashkët. “Do të shkojmë drejt marrëveshjeve të cilat do të hyjmë bashkërisht në zgjedhjet lokale, në përzgjedhjet e kandidatëve. Partia Demokratike ka filluar punën e saj për përzgjedhjen e kandidatëve të cilët duhet të jenë fitimtarë në të gjithë fushatën elektorale. Ashtu sikurse edhe ne si LSI kemi filluar dhe jemi në kontakte me strukturat dhe drejtuesit për përzgjedhjen e kandidatëve tanë. Dhe do të shkojmë drejt përzgjedhjes së kandidatëve fitues, të cilët do të jenë fitues jo thjesht si përfaqësues të forcave politike, por do të jenë fitues në funksion të qytetarëve. Mendojmë që të qenurit kandidatë politik sot nuk është se është ndonjë gjë shumë e madhe, sepse njerëzit janë lodhur nga politika”, deklaroi kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Por Basha duket se është indiferent ndaj kërkesës së LSI. Kreu i Partisë Demokratike vijon i qetë takimet me qytetarët, ndërsa paralelisht po riorganizon edhe partinë.

Baza kundër

Teksa LSI kërkon që të dalë me kandidatë të përbashkët me PD në zgjedhje, gazeta ka mësuar se Basha po përplaset me bazën demokrate. Në zyrën e tij kanë mbërritur lista me emrat e kandidatëve për çdo qytet dhe baza kërkon që secila parti të hyjë me kandidatët e saj. Por LSI kërkon që në disa bashki ajo të dalë me kandidatët e saj dhe PD ta mbështesë. Mësohet se LSI kërkon që të mbajë bashkitë që ka momentalisht. Por sa i takon Gjirokastrës dhe Beratit palët janë ende të ndara, pasi në Gjirokastër e gjithë baza e PD është kundër. Mbetet të shihet se çfarë do të bëjë Basha, pasi deri më 1 maj palët duhet që të vendosin nëse do të hyjnë në koalicion, apo të ndarë.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here