Kolegji i Posaçëm i Apelimit po tregohet mjaft strikt me emrat për të cilët Komisioneri Publik ka kërkuar shkarkimin e tyre. Ditën e djeshme u mbajt seanca e dytë në KPA me gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj. Islamaj u rikonfirmua në detyrë pak kohë më parë, por IKP nuk ra dakord me këtë vendim dhe e ankimoi në KPA. Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të premten të pranojë pjesërisht një kërkesë të Komisionerit Publik, Florian Ballhysa për çeljen e hetimit gjyqësor ndaj Islamajt. Ky vendim i KPA do të thotë se komisionerët do të kërkojnë informacione shtesë dhe do të kryejnë edhe një herë hetim për disa elementë të pasurisë së anëtarit të Gjykatës së Lartë. Pasuria e Islamajt, bashkëjetueses së tij dhe babait të tij do të kalojë sërish në sitë me kërkesë të KPA, edhe pse KPK e certifikoi si me pasuri të rregullt. Rihetimi i pasurisë do të nisë me truallin prej 1000 m2 në plazhin e Karpenit në Kavajë, për të cilin gjyqtari në deklarimin e pasurisë e ka vendosur atë me një çmim prej 1000 euro me kontratë të blerë në vitin 2015. Për këtë pronë KPA kërkoi të hetohet sesi sipërfaqja është kthyer nga pronë shtetërore tek një individ privat i cili më pas në 2015 ja ka shitur z. Islamaj për 1 euro m2. Po ashtu do të hetohet edhe pretendimi i gjyqtarit për të ardhura në vlerën e 700 mijë lekëve të krijuara nga shitja e dy automjeteve që ai ka patur më parë në përdorim si Opel Corsa dhe një Mercedes Benz.
Rihetohet pasuria e Islamajt
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të hetojë edhe tre prona të cilat disponohen nga bashkëjetuesja e gjyqtarit, Sonila Toska. Për pasuritë e kësaj të fundit, KPA do të kërkojë të dhëna sesi janë përfituar dhe nëse janë paguar penalitetet fiskale për rivlerësimin e një apartamenti, dyqani dhe një garazhi në Durrës. Në sitë do të kalojnë edhe një herë mundësitë financiare të babait të ndjerë të Edmond Islamajt sepse gjyqtari pretendon se iu ka dhuruar disa pasuri fëmijëve të tij kur ka qenë gjallë. Pas përfundimit të seancës së dytë, Edmond Islamaj nuk preferoi të jepte detaje për mediat nëse do të sillte edhe një herë sqarime për pretendimet dhe dyshimet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Pasi të përfundojë hetimi, organi kolegjial do të vendosë përfundimisht për fatin e Islamajt në datën 11 dhjetor.
Radha e Dedes
Ky vendim i KPA për të rihetuar pasurinë e gjyqtarit të rikonfirmuar në detyrë është një mesazh i qartë edhe për të gjithë emrat e tjerë që e kaluan me sukses vetingun, por që Komisioneri Publik i ankimoi. Midis këtyre emrave është edhe ai i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, i cili me shumë gjasë do të jetë edhe gjyqtari i radhës që do të japë edhe një herë llogari për pasurinë e tij. Nëse kërkon tek çështjet që KPA ka regjistruar, vihet re se të gjitha janë shqyrtuar sipas rendit. Çka do të thotë se çështja e parë që ka regjistruar KPA ishte ajo e Adriatik Llallës dhe ai ishte edhe i pari për të cilin KPA mori vendim. Më pas, sipas regjistrimit të çështjeve, organi kolegjial vendosi për Mirela Fanën, Fatos Lulon, Besim Trezhnjevën, Besa Nikëhasanin, Fatmir Hoxhën dhe Altina Xhoxhajn. Ndërsa çështja e regjistruar që vjen pas Xhoxhajt është ajo e Edmond Islamajt. Pas Edmond Islamajt, në listë qëndron emri i Bashkim Dedjes, çka do të thotë se nisur nga kjo logjikë, kreu i Kushtetueses do të japë sqarime shumë shpejt për pasurinë e tij. Kujtojmë që Dedja u rikonfirmua në detyrë nga KPK, por Komisioneri Publik kërkoi shkarkimin e tij./Mimoza IBRA