Në një tjetër shenjë presioni ndaj karvanit të emigrantëve që po i drejtohet kufirit jugor të SHBA, presidenti Donald Trump, tha se ka nënshkruar një urdhër për emigrimin, i cili u mohon kualifikimin për azil migrantëve që kalojnë kufirin amerikan me Meksikën në mënyrë të paligjshme.
Administrata e Trumpit i zbuloi rregullat e reja të enjten, me qëllim pengimin e emigrantëve që kalojnë kufirin jugor të SHBA.
“Ne kemi nevojë për njerëz në vendin tonë, por ata duhet të vijnë në mënyrë të ligjshme dhe të kenë merita”, tha Trump para se të nisej për në Paris.
Masa u nxit pjesërisht nga karvani i migrantëve të Amerikës Qendrore që po ecin në këmbë drejt kufirit me SHBA-në, por do të zbatohet për këdo që kapet duke kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, thanë zyrtarët.
Nuk dihet ende nëse ata që janë në karvan – shumica të larguar nga dhuna në vendin e tyre – planifikojnë të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme.