U arrestua si ekzekutori i Emiljano Boçit, Hektor Xheçuka dyshohet për disa vrasje në kryeqytet

0
505

Pa kaluar 48 orë nga arrestimi i 30-vjeçarit, Xheçuka si autor i vrasjes së Emiljano Boçit, grupi hetimor ka hedhur dyshimet se i riu është një vrasës profesionist me pagesë. Sipas grupit hetimor dyshohet se 30-vjeçari ka kryer disa vrasje në vendin tonë për llogari të grupeve kriminale të ndryshme. Vetë i riu ka mohuar akuzat e policisë duke u shprehur përpara oficerëve gjyqësorë se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen për të cilën policia e ka arrestuar atë. Ndërkohë që ai nuk ka pranuar ti përgjigjet pyetjeve dhe të flas pa zgjedhur një avokat. 30-vjeçari, Tori Hektor Xheçuka, dyshohet se është vrasës me pagesë, ndërsa ka qenë në hetim nga Prokuroria e Tiranës që prej 6 muajsh, ku është vënë nën përgjim ambiental dhe telefonik. “Identifikimi i autorit të dyshuar ka ndodhur pas një hetimi disa mujor me metoda speciale të hetimit nga Seksioni për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë”, shkruhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës.

Ndërkohë, referuar burimeve, autorësia e 30-vjeçarit për vrasjen në janar është provuar me prova shkencore. Sipas grupit hetimor dyshohet se i riu nuk ka qenë vetëm ditën kur ekzekutoi Emiljano Boçin, sipas grupit hetimor në ekzekutimin e 32-vjeçarit janarin e vitit 20016, sëbashku me Xhaçukën kanë bashkëpunuar dhe dy persona të tjerë ende të paidentifikuar. Por Xheçuka nuk është i panjohur për autoritet në vend, pasi edhe më parë ka qenë i dyshuar për një vrasje të mbetur në tentativë. Ndërkohë, burime thonë se mund të jetë përgjegjës edhe për ngjarje të tjera. Të njëjta burime nga grupi hetimorë thonë se 30-vjeçari, ka dyshime të jetë personi që ekzekutoi në vitin 2016, ish punonjësin e policisë, 41-vjeçarin, Ajet Zeqaj. Prokuroria po punon dhe për zbardhjen e kësaj ngjarjeje ku ka dyshime të forta se i riu të jetë autor i kësaj ngjarjeje. Gjatë arrestimit, Xheçukut iu sekuestruan dy aparate celularë, ku nga kqyrja e tyre ka rezultuar se ai ka komunikuar me drejtues të të paktën dy grupeve kriminale. Ndërkohë, nga hetimet ka rezultuar se ai ka komunikime me disa grupe kriminale në vend dhe hetimet janë duke u kryer për të parë nëse ka element të veprës penale dhe për këtë policia thotë se nuk mund të japë më shumë informacion. “Për arsye hetimi në funksion të zbardhjes së plotë të kësaj ngjarje, nuk bëhen me dije detaje të tjera”, shkruhet në njoftimin zyrtar. Gjatë ditës së sotme, ai pritet të dalë para gjykatës së Tiranës, për të bërë vlerësimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, ndërkohë që për prokurorinë 30-vjeçari duhet të qëndrojë në burg.

Arrestimi

Burime nga policia thonë se 30-vjeçari është arrestuar në pikën kufitare të Kakavijës, duke u futur në Shqipëri, ndërsa i janë sekuestruar dy telefona që kishte me vete. “Kapet dhe vihet në pranga Tori (Hektor) Xheçuka, 30 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe të “Prodhimit dhe mbajtjes së armëve luftarake”. 30-vjeçari është autor i dyshuar i ngjarjes së ndodhur në datën 14 janar 2018 në rrugën “Shefqet Musaraj”, ku mbeti i vrarë shtetasi Emiljano Boçi, si dhe autor i dyshuar i “Vrasjes së mbetur në Tentativë” të shtetasit M. D.,”, njoftoi policia. Ndërkohë, sipas burimeve nga uniformat blu, atij nuk i është gjetur asnjë send tjetër i jashtëligjshëm, ndërsa dyshohet se gjatë kësaj kohe është larguar disa herë ilegalisht në Kosovë dhe Greqi. Dyshohet se Xheçuka nuk qëndronte gjithmonë në të njëjtin vend, ndërsa ka jetuar për pak kohë në një banesë në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë. Gjithashtu, dyshohet se ai shpesh kalonte kufirin në mënyrë ilegale, duke mos u regjistruar në sistemin TIMS. Kujtojmë se Emilliano Boçi është gjetur fillimisht i plagosur me armë zjarri në makinën e tij, ku ka qenë në prani edhe të të dashurës së tij. Ndërkohë, kanë qenë qytetarët të cilët panë 32-vjeçarin të plagosur brenda makinës, që njoftuan policinë. Ai u transportua menjëherë në spital, por ndërroi jetë për shkak të plagëve të rënda, ndërkohë, i plagosur shkoi edhe miku i tij, i cili arriti t’i mbijetoi plagëve të marra.

Elvis Myrta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here