Ish-deputeti Astrit Patozi ka shpërthyer dje në kritika të forta ndaj presidentit Ilir Meta, sa i takon vendimit të tij për Sandër Lleshin. I ftuar në një studio televizive, Patozi tha se Meta po teton të bëhet protagonist, pasi ka një rol shumë të ulët në politikë. “Ajo që bëri Meta është ikje nga principi: me qetësi e dashuri, ishte shenjë e qartë nervozizmi. Një lojtar i politikës që nuk pajtohet me rolin sekondar që i kanë caktuar. Më zbavit ideja se dy kundërshtarët e mi politikë po zihen me njëri- tjetrin dhe kokat hëngshin, por si qytetar nuk me lejohet të them këtë, mund të kenë debate, po jo të zihen me thelbin e shtetit. Meta do protagonizëm politik, por Ilir Meta ka një problem, që nuk mund të bëjë udhëheqësin e opozitës kur është President dhe kryetari i opozitës po bën Presidentin”, tha Patozi. Sipas tij, Ramës iu kthye në boomerang nisur nga fakti i zgjedhjes së Presidentit, të cilën Patozi e konsideron një farsë.
“Nuk është fare pa faj Rama, i cili po korr atë që ka mbjellë vetë, se kam thënë atëherë që kjo është farsë, zgjedhja e presidentit. U konsiderua si kafaz ku mund të mbyllej kundërshtari politik pasi ke prerë thonjtë. Kjo u kthye në bumerang. Është rënia e shtetit”, tha ai. Më tej Patozi ka thënë se Meta ka shkelur rëndë Kushtetutën. Sipas tij veprimi i presidentit është turp i Republikës dhe rënie e shtetit. “Përplasja Rama -Meta për mosdekretimin e Lleshit është anormale. E shëmtuar që njëra palë pranon Ramën dhe tjetra Metën. Në ka një moment kur çdo njeri duhet të largohet nga Rama e Meta është ky. Është turpi i Republikës. Meta ka shkelur rëndë Kushtetutën, por nuk ka Kushtetutë fare”, tha ai. Deri më tani askush nuk është rreshtuar krah Ilir Metës. Madje dhe PD nuk e ka kritikuar figurën e Sandër Lleshit, por ka vijuar me akuzat shabllone. Po ashtu ekspertët e të Drejtës Kushtetuese kanë deklaruar se Meta ka shkelur ligjin themeltar të shtetit. kushtetuta nuk e ka të përcaktuar refuzimin e propozimit për ministër, por Meta e anashkaloi këtë.