Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi se Turqia nuk do të lejojë që burimet natyrore të Mesdheut Lindor të shfrytëzohen pa pëlqimin e Turqisë dhe Republikës Turke të Qipros Veriore, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Stamboll u mbajt hapja solemne e bordit TCG Burgazada të marinës turke dhe fillimit të projektit të ndërtimit të nëndetëses turke Aydinreis.
Kjo është anija e tretë e ndërtuar nga Turqia në kuadër të projektit të parë kombëtar për ndërtimin e anijeve luftarake MILGEM. Në fazën përfundimtare është edhe ndërtimi i anijes luftarake Kinaliada.
Duke theksuar se ky është një program jashtëzakonshëm kombëtar, Erdoğan tha se çdo produkt i industrisë së mbrojtjes vendase është një simbol i fuqisë dhe pavarësisë së vendit.
“Varësinë e jashtme në industrinë e mbrojtjes në periudhën e kaluar e kemi zvogëluar nga 80 në 35 për qind. Ne do të vazhdojmë këtë trend edhe në të ardhmen për gëzimin dhe nderin e kombit, por edhe të gjithë miqve të Turqisë”, tha Erdoğan.
Duke komentuar rreth tensioneve të fundit në ujërat e Mesdheut Lindor dhe Detit Egje, Erdoğan tha se të gjithë ata që mendonin se mund të veprojnë në këtë rajon pa dijeninë e Turqisë, filluan të kuptojnë se kanë bërë një gabim të madh.
“Ne nuk kemi pretendime ndaj asnjë territori, të drejte apo interesi. Vetëm mbrojmë të drejtat tona dhe interesat e vëllezërve tanë”, ka thënë Erdoğan.
Ai shtoi se Turqia do të kundërshtojë me vendosmëri të gjitha aktivitetet armiqësore në akuatorium, ashtu sikur iu kundërvu aktiviteteve terroriste në Siri.
Paralajmërimi i tij iu referua përpjekjes së administratës greke të Qipros Jugore për të eksploruar dhe shfrytëzuar burimet në Mesdheun Lindor në mënyrë të njëanshme dhe pa pëlqimin e Turqisë dhe Qipros Veriore.
“Kurrë nuk do të lejojmë që t’ia dalin ata që duan që Turqia të vihet në një situatë që të mos mund të shkelë në detin e saj”, tha Erdoğan.
Ai tha gjithashtu se ndër 100 kompanitë më të mëdha në industrinë ushtarake në botë ndodhen katër kompani turke dhe se Turqia në këtë aspekt është vendi i gjashtë në botë.