CIA zbardh detajet, brenda një viti regjimi komunist arrestonte e pushkatonte mbi 500 njerëz, ja benefitet që kishin anëtarët e Sigurimit të Shtetit

0
601

Regjimi komunist në Shqipëri lulëzoi për rreth 45 vjet falë ushtrisë, policisë dhe Sigurimit të Shtetit. CIA ka zbardhur detaje se si bëhej terror përmes këtyre organeve dhe kushdo që dilte kundër sistemit arrestohej ose pushkatohej. Vetëm në vitin 1952 u arrestuan mbi 500 persona. Po ashtu tregohet se si jetonin spiunët e Sigurimit. Ata kishin paga të mira, ushqim të mirë, por dhe veshje të mira. Falë tyre regjimi mbahej në këmbë.

Forcat e sigurisë

Rreth 500 vetë u arrestuan dhe 86 janë ekzekutuar në grup nga autoritetet shqiptare në fund të prillit 1952.Aparati i policisë së sigurisë në Shqipëri ka rreth 13.000 njerëz dhe përbëhet nga regjimentet e Tiranës, Korçës, Shkodrës e Gjirokastrës, me degë të tjera në prefektura dhe komunitete. Ato janë të pajisura me armë automatike dhe disa mjete artilerie të tërhequra me mushka. Njerëzit e këtyre njësive raportohet të veshin rroba të mira dhe kanë ushqim të bollshëm, shumë më të mirë sesa ai në ushtri. Paga e tyre është 3.500 lekë në muaj me shpërblime për arrestime apo eliminime të anëtarëve të rezistencës. Përveç njësive të mësipërme, raportohet dhe për njësi vullnetarësh në ndihmë të policisë shtetërore, të cilat luftojnë rezistencën anti-komuniste, mbledhin inteligjencë dhe janë të gatshme për veprim në rast nevoje. Këto trupa ndihmëse kanë qenë nën drejtimin e kolonelit Kadri Hazbiu dhe raportohet të jenë organizuar në 4 brigada me nga 1000 njerëz secila. Armët e tyre janë sovjetike, çekosllovake dhe disa armë italiane. Në maj 1950 rreth 350 oficerë shqiptarë këmbësorie, 80 oficerë ajrorë dhe 45 oficerë detarë morën trajnim në Bashkimin Sovjetik. Nuk është e qartë nëse informacioni i referohet të dhënave të mëparshme për brigadat vullnetare të civilëve që luftojnë kundër grupeve të rezistencës. Raportohet edhe për ekzistencën e Gardës Civile të Shqipërisë me njerëz të armatosur besnikë të partisë, vetëm në rrethin e Kolonjës. Në lidhje me periudhën e rekrutimit të këtyre trupave (korrik 1950-janar 1951), kjo duket se koinidon me një fushatë të gjerë grumbullimi të ushtarëve në Shqipëri për trajnime tre-mujore. Kjo ka gjithashtu lidhje me raportimet për krijimin e brigadave speciale të ndjekjes, që fillimisht do të krijoheshin me vullnetarë, por ata ishin shumë të paktë.

Nëntor 1950

Rrugët ushtarake

Ish-rruga kombëtare Vlorë-Mifol-Noveselë tashmë është e rezervuar vetëm për trafik ushtarak. Tashmë është ndërtuar dhe funksionon një rrugë jo-ushtarake që kalon nga Vlora drejt Bregu Plajer dhe më tej në perëndim në linjë të drejtë drejt Noveselës. Më pas ajo bashkohet me rrugën kombëtare në Fier. Rruga ushtarake Gjorm-Kuç ndjek bregun perëndimor të lumit Shushica duke kaluar mes fshatrave Lepenicë, Brataj e Kallarati. Më tej ajo kalon lumin me anë të një ure për të arritur në Qafa e Shalës dhe në fshatin Kuç.

Tetor 51

Vendet e Kominform raportohet se kanë vendosur të ngrenë një stacion të fuqishëm radio në Tiranë, për transmetimin e propagandës drejt Lindjes së Mesme, Afrikës veriore, Italisë e Francës. Transmetimet do të jenë kryesisht kundër politikave të SHBA ndaj vendeve perëndimore; transmetimet eksperimentale pritet të nisin në dhjetor, ndërsa ato zyrtare në janar 1952. Burimi ynë thotë se për transmetimet drejt Afrikës do të riaktivizohet radio-stacioni i Vlorës dhe transmetimet e tij do të monitorohen nga sovjetikët nga Damasku, Kairo dhe Adis Abeba. Organizata e radio-transmetimeve drejtohet nga një inxhinier gjerman i quajtur Jungman, dhe një inxhinier sovjetik i quajtur Petrov, drejtori i programacionit do të jetë zyrtari polak i Kominform, Stefan Novak. Në projekt do të punojnë inxhinierë gjermanë, sovjetikë, polakë dhe çekë.

Koment: Në një tjetër version të informacionit, tregohet mundësia e krijimit të më shumë se 1 radio-stacioneve. Interesant është fakti se në transmetimet shqiptare të 10 tetorit 1951 janë njoftuar vende të lira pune për folës të gjuhëve gjermane, arabe e spanjolle.

Shkurt 51

Si rezultat i thatësirës së fundit, të korrat e drithërave do të furnizojnë vendin vetëm për tre muaj, në vend të gjashtë apo shtatë muajve në kushte normale. Marrëveshja tregtare me Rumaninë e nënshkruar në tetor 1950 parashikon importin e drithërave rumune në këmbim të lëkurëve dhe leshit. Këto drithëra kanë si destinacion popullsinë civile, ndërsa për ushtrinë drithërat do të dërgohet nga Bashkimi Sovjetik. Në dhjetor katër anije sovjetike dhe dy rumune arritën në portin e Durrësit, të cilat shkarkuan ngarkesa drithi me destinacion popullsinë civile dhe ushtrinë. Përdorimi i dollarëve amerikanë në dyqanet shtetërore. Prej disa kohësh në disa dyqane shtetërore në Shqipëri po shiten mallra dhe ushqim kundrejt pagesave në dollarë. Në fillim të shkurtit 1951 një refugjat shqiptar në Romë mori një telegram nga të afërmit në Shqipëri që i kërkonin dollarë për të blerë ushqim. Ka zhurma se me këtë, liderët komunistë po përpiqen të mbledhin valutë të huaj për veten e tyre, në rast se duhet të largohen nga vendi.

Të dhëna biografike të figurave sovjetike dhe pro-sovjetike

Beqir Balluku: Këshilltari kryesor ushtarak i Enver Hoxhë, komandant i ushtrisë së Shqipërisë. Ai raportohet gjithashtu se është organizatori i të gjitha aktivitetet dhe intrigat e vendeve të Kominform në lidhje me personelin ushtarak. Balluku thuhet se ka vizituar disa herë Moskën dhe ka diskutuar me përfaqësues ushtarakë të vendeve satelite mbi luftën e guerrilasve komunistë në Greqi dhe në Jugosllavi.

Lesnikov: Admiral i flotës sovjetike, specialist i mbrojtjes bregdetare dhe porteve. Lesnikov ka qenë në Shqipëri që prej fillimit të 1949, duke mbikëqyrur ndërtimet e fortifikimeve bregdetare. Ka qenë ai që ka sugjeruar ngritjen e fortifikimeve në ishullin e Sazanit dhe ka hartuar planin për sistemin e frunizimit të nëndetëseve dhe transportin e materialeve për guerrilasit komunistë në Peloponez. Ky i fundit nuk u realizua kurrë. Ai besohet të jetë një specialist i Adriatikut dhe ka një rrjet për mbledhjen e informacionit ushtarak të Mesdheut.

Mitsenov: Kolonel i ushtrisë sovjetike, i dërguar fillimisht në Jugosllavi për të ndihmuar me riorganizimin e ushtrisë atje. Në korrik 1948, Mitsenov tentoi të hynte në një zonë të kontrolluar nga guerilasit grekë pranë kufirit Greqi-Jugosllavi, por u kthye me forcë dhe u dorëzua në Beograd nga autoritetet jugosllave. Mitsenov u largua në Hungari dhe më pas për në Shqipëri gjatë kohës që qytetarët rusë në Jugosllavi ishin vënë nën mbikëqyrje. Ai besohet se drejton operacionet e byrosë së Ballkanit, të ushtrisë sovjetike.

Artimov: Kolonel i forcave ajrore, ka qenë përgjegjës për transportin e materialeve nga Hungaria për guerilasit grekë. Bashkëpunëtorët e tij grekë ishin oficerët gueril Tsirinokos dhe Gigopulos, rreth 20 njerëz të forcave ajrore që ishin larguar më parë nga Greqia, si dhe majori polak Natuzak, nip i atasheut ushtarak polak në Paris.

Tetor 1952

Prodhimi bujqësor, standardet ekonomike

Zëri i Popullit

Më 8 shkurt 1949 qeveria e Tiranës kaloi rezolutën e mëposhtme: Të inkurajohet rritja e prodhimit të perimeve nga institucionet ekonomike dhe ato shtetërore dhe të mundësohet rritja e furnizimit nga kooperativat për popullatën urbane. Këshilli i Ministrave ka vendosur që kooperativat e furnizimit dhe shitjes të ndalojnë dhënien e produkteve ushqimore për ndërmarrjet apo institutet që kanë tokë dhe nuk e shfrytëzojnë. Në vitin 1950 shumë ndërmarrje industriale u organizuan për mbështetjen e këtij plani. Ndërmarrja Muhamet Gjollesha u dha punonjësve të saj perime me çmim më të ulët sesa ata të afruara nga kooperativat. Fermat shtetërore Ylli i Kuq në Kamëz, ferma 8 Nëntori në Sukth dhe ferma Çlirimi në Fier reaguan mirë ndaj urdhrit. Por gjithsesi aktualisht interesi është i vogël në furnizimin e punëtorëve me ushqime më të mira. Plan i vitit 1952 bën thirrje për furnizim më të mirë dhe më të lirë për punëtorët e fermerët. Zonat e Korçës e Peshkopisë kanë prodhuar sasi të mëdha patatesh që arrijnë deri në 500 kuintalë, dhe gjithashtu prodhime të bollshme në domate, spinaq, lakër, okër, qepë fasule e bizele. Metoda moderne bujqësore janë përdorur si në mbjelljen dhe në kujdesin ndaj bimëve. Për shembull, bujku progresiv Abedin Sirdani ka rritur 700 kuintalë spinaq nga një hektar, që do të thotë se kujdesi mund të jetë shumë i leverdisshëm. Shumë zona të tjera në Shqipëri si Berati, Gjirokastra dhe Fieri mund të japin prodhim perimesh tre ose katër herë në vit. Rajoni pjellor i Myzeqesë mund të japë prodhime të mëdha, por fermerët nuk janë përpjekur për rritjen e prodhimit. Kultivimi i patateve është kryer thuajse në të gjithë Shqipërinë, por më u përhapur është në rajonet me të ftohta si ato malore. Në zonat e Devollit, Peshkopisë e Përmetit, metodat e reja të bujqësisë kanë dhënë një prodhim prej 200-500 kuintalë për hektar. Në rajonet qendrore deh bregdetare, prej nxehtësisë së madhe dhe thatësirës, kultivimi ka dhënë rreth 20-50 kuintalë për hektar, prandaj kultivimi i patates kryesisht është braktisur në këto rajone. Një situatë e ngjashme ka ekzistuar prej 18 vjetësh në zonat e ngrohta të Ukrainës, ku patatet janë dëmtuar ose degjeneruar. Shkencëtari sovjetik Lisenko ka treguar se temperaturat e larta kanë dëmtuar zhvillimin e rrënjës së patates prej ngrohtësisë së tokës. Prandaj ai propozoi mbjelljen në korrik që formimi i rrënjës të niste 60-70 ditë pas mbjelljes, që do të ndodhte në muajt e freskët të tetorit e nëntorit. Kushtet e nevojshme për rritjen e patates ndryshojnë në zona të ndryshme të Shqipërisë, prandaj teknikat e kultivimit duhet të ndryshojnë sipas tyre. Për lulëzimin e patates temperatura duhet të jetë rreth 7 gradë në thellësinë 10 cm. Nëse temperatura është më e lartë ndalohet zhvillimi i zhardhokëve. Metoda e re sovjetike në mbjellje sipas temperaturës është testuar në disa mjedise bujqësore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here