Plas brenda LSI, shpërthen Lefter Koka: Opozita nuk bëhet brenda selive, hiqni dorë nga pazaret e radhës

0
470

Përçahet Lëvizja Socialiste për Integrim. Robert Bitri iku nga kjo parti, ndërsa dje janë dhënë sinjale se ka shumë emra të tjerë të pakënaqur. Dje ka ardhur një reagim shumë i fortë nga ish-ministri dhe deputeti i LSI, Lefter Koka. Ai ka lëshuar akuza të forta ndaj opozitës, ku bëjnë pjesë PD e LSI. “Sot opozita duhet të zgjohet, sot opozita duhet të shkundet nga themelet. Opozitë nuk mund të bëhet nga selitë e partive dhe nga Tirana. Opozita nuk ka luksin të ëndërrojë për pazarin e radhës, por të dalë sot derë më derë, familje më familje, në çdo cep të Shqipërisë. Sot ju duhet të bindni e t’i jepni besim popullit tuaj se nuk është vetëm.

Nesër është vonë, shqiptarët nuk kanë kohë më për të humbur. Dhe për ta mbyllur “të nderuar” pushtetarë të së sotmes dhe të së nesërmes, në fund të betejës suaj duket se po bëni çmos të nënshtroni një popull mbase te lodhur e të përhumbur, po kurrë të nënshtruar. Dita s’do të vonojë dhe do të shohim popullin tonë të reagojë me trimëri të pashoq në emër të së drejtës, në emër të shpresës”, tha ai. Reagimi i tij ka ardhur pas situatës të krijuar në Durrës. Koka ka ironizuar duke marrë si shembull komunitetin rom. “Durrësi është shndërruar në makthin e qytetarëve të tij. Ne durrsakëve prej vitesh na ofrohet gjithçka e shëmtuar për mrekulli. Ne në Durrës kemi komunitetin rom që e duam, ndajmë përditshmërinë me ta dhe është pjesë vitale e qytetit tonë. Dhe shpesh ju referohemi historive të tyre në bisedat tona. Dhe ndodhi kështu me një nga bashkëqytetarët tanë romë. Kur romi akuzoi gruan se e tradhtonte, gjyqtari e pyeti a kishte fakte. I habitur romi i përgjigjet se faktet ishin brenda dhe nuk i shihte dot. Pse çdo çështje në Shqipëri dështon dhe kanë fatin e romit? Ka ligj që ta krijon këtë mundësi, por ama mbi çdo gjë ka dhe duhet të prevalojë integriteti dhe morali. Sot ju duhet të ndaloni. Sot ju duhet të kuptoni se nuk do të jeni dot pushtetarë pa qytetarë”, tha ai. Deklarata e Kokës tregon se brenda LSI ka shpërthyer konflikti dhe deputetët janë të pakënaqur me Kryemadhin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here