Gjykata e Krimeve të Rënda zhvilloi dje seancën ndaj Jurgen Mollës dhe 8 të pandehurve të tjerë, ku dha dhe vendimin ndaj tyre, duke i dënuar përfundimisht me plot 121 vite burg antarët e këtij rrjeti kriminal. Gjykata pranoi kërkesën e përfaqësuesit të organit të akuzës, Eugen Beci, duke shpallur fajtorë të gjithë të pandehurit e këtij grupi të trafikut të heroinës. Ata u shpallën fajtor pasi është vërtetuar se trafikonin lëndë narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal si dhe grup i strukturuar kriminal. Në seancën e djeshme Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor duke e dënuar me 15 vite burg, drejtuesin e këtij grupi kriminal shtetasin Jurgen Molla. Nga kjo gjykatë u dënuan me 14 vite burg shtetasit Shyqyri Kotorri; Arif Çiço; Anest Koromani si dhe shtetasi turk Abubekir Tuncedemir. Krimet e Rënda dënuan me nga 13 vite burg, shtetasin Orgest Myftaraj si dhe shtetasin turk Enver Kurtulus. Me 12 vite burg Krimet e Rënda dënuan shtetasit Blerim Ukimerajn dhe Elmi Thaçin. Nëntë të pandehurit e dënuar si pjesë e këtij grupi kriminal të trafikut të drogës së fortë, do të përfitojnë uljen e dënimit me 1/3 për shkak se kanë pranuar gjykim të shkurtuar. Të pandehurit, sipas prokurorisë ishin përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike e llojit heroine nga Turqia në Kosovë, Greqi, Shqipëri e më pas destinacioni final ishin vendet e Bashkimit Europian. Në korrik 2016, në kuadër të operacionit “Ballkan” policia arrestoi 30 persona në Shqipëri, Greqi, Maqedoni dhe Bullgari. Gjatë gjithë procesit, të pandehurit kanë mohuar akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”, ndërsa gjatë mbrojtjes, avokati i shtetasit turk Enver Kurtulus, Petraq Semani, kërkoi që për të mbrojturin prej tij të shpallej mungesa e juridiksionit, pasi sipas tij, nuk kishte kryer asnjë vepër penale në territorin e Shqipërisë. Kërkesa e tij u rrëzua nga Gjykata, si e pambështetur në ligj. Ndërkohë, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes gjykata bazuar në provat e dosjes ndaj këtij grupi kriminal, i shpalli fajtor ata duke i dënuar në total me 121 vite burg
Hetimet
Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të pandehurit në këtë proces janë fajtor për akuzat e ngritura dhe këtë pretendim e mbështet në provat që konsistojnë në dëshmi dhe përgjime telefonike. Prokuroria e Krimeve të Rënda, në mbylljen e hetimeve për grupin, dorëzoi në Gjykatë një sërë provash materiale kundër të pandehurve, së bashku me to edhe 189 CD, me përgjime telefonike. Sipas këtyre provave, për prokurorinë, është e vërtetuar se Jurgen Molla, Shyqyr Kotorri dhe Anesti Koromani kanë luajtur rolin e financuesve dhe organizatorëve të trafikut të drogës nga Turqia në drejtim të Shqipërisë. Prokuroria ka dokumentuar katër raste të trafikut të lëndëve narkotike, raste që kanë ndodhur në vitet 2015-2016. Ndërmjetës në këto raste kanë qenë dy shtetasit turq dhe shtetasi kosovar, Arif Çiço. “Gjatë muajit qershor 2015, shtetasit Jurgen Molla, Arif Çiço dhe Abubekir Tuncdemir kanë realizuar një sërë takimesh në Kosovë dhe në Shqipëri, në funksion të arritjes së një marrëveshjeje për trafikimin e një sasie heroine”, pretendoi Prokuroria. Në këtë rast të trafikut, Molla kishte kontaktuar me shoferin e kamionit, kishte udhëtuar deri në Patok të Laçit, ku i kishte dhënë shoferit 9 milionë euro. Në bazë të përgjimeve, komunikimet për sasinë tjetër të drogës që do të trafikohej ka nisur rreth 6 muaj më vonë nga ky rast. Molla ka kontaktuar me ndërmjetësit Arif Çiço dhe Abubekir Tuncdemir në fund të tetorit 2015. Shtetasi turk arriti të trafikonte 15 kilogramë heroinë nga Turqia në Selanik, ndërsa Jurgen Molla, ra dakord të merrte një sasi prej 5 kilogramësh, për të cilën kërkoi ndihmën e Shyqyr Kotorrit dhe rrjetit të tij në Greqi. Në kuadër të operacionit të koduar “Ballkan”, u arrestuan 30 persona, por një pjesë e tyre u proceduan dhe gjykuan në vendet ku u arrestuan. Në këtë operacion, i cilësuar si një më të mëdhenjtë e asaj kohe, mori pjesë edhe zyra e DEA-s në Greqi, së bashku me policinë greke. Më tej, sipas prokurorisë, dy episodet e tjera të trafikut të lëndëve narkotike, kanë ndodhur në dhjetor të 2015-ës dhe mars të 2016-ës, ku policia ka arritur të sekuestrojë sasi më të vogla droge në Greqi./Elvis MYRTA